Vetingu në vitin e fundit/ Si do vijojë kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve, ja ku është bllokuar skema








KPK-VETINGMARIGLEN KUME/ Ministria e Drejtësisë zhvilloi javën e kaluar nja aktivitet të veçantë me rastin e 5-vjetorit të Reformës në Drejtësi. Gjatë takimit, kryeprokurori Olsian Çela tha se në vjeshtën e këtij viti, prokuroritë pritet të përballen me ngërç për shkak të vetingut.

Por, në fakt një situatë e paqartë për momentin është edhe me vetë institucionet e vetingut. Në qershor të vitit të ardhshëm, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik i përfundon mandati kushtetues për të bërë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi bëhen 5 vite nga themelimi. Ndërkohë, deri vitin e ardhshëm, numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve që do kenë përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar, duke u bazuar tek intervali i deritanishëm mund të jetë pak më shumë se 400, ndërkohë që në total janë 800 prokurorë dhe gjyqtarë që duhet të kalojnë vetingun.

Pra, gjysma tjetër mbetet pa kaluar në veting. Sipas ligjit, pas përfundimit të mandatit të KPK-së dhe të Komisionerit Publik, rivlerësimin e prokurorëve e bën Këshilli  i Lartë i Prokurorëve, ndërsa gjyqtarët i verifikon Këshilli i Lartë i Gjyqtarëve. Por, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një intervistë për “Euronews” u shpreh se do të bashkëpunojë me opozitën për të zgjatur mandatin e KPK-së dhe të Komisionerit Publik. Nga ana tjetër, në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtoresha e Komitetit  Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, tha se zgjatja e mandatit është kundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias.  Po ashtu, sipas Skëndajt, verifikimin e gjyqtarëve dhe  prokurorëve s’mund ta bëjnë as KLP-ja e as KLGJ-ja, pasi sipas saj ka përplasje kompetencash. Ndërkohë, rekomandimi që bën Skëndaj është që zgjidhja për këtë ngërç të mos vijë nga politika, por nga vetë drejtuesit e institucioneve të pavarura të konsultuara nga ekspertët.

Jemi në fillim të vitit të 5-të të ngritjes së institucioneve të vetingut, edhe sa kohë kanë afat funksionarët e këtyre institucioneve që t’u mbarojë mandati?

Komisioni i Venecias, në opinionin e tij përfundimtar për  draftin e amendamenteve kushtetuese të Reformës në Drejtësi, pasi ka shprehur vlerësim për procesin e vetingut si një  masë e domosdoshme për të luftuar korrupsionin në sistemin e drejtësisë, ka adresuar gjithashtu disa rezerva në paragrafët 54, 55 dhe 56 të tij, të cilat kanë të bëjnë me kohëzgjatjen apo mandatin e organeve të vetingut.

Venecia vuri theksin te fakti që në këtë proces nuk duhet të ketë vonesa, pasi  në të kundërt, nga një masë e jashtëzakonshme dhe tranzitore mund të prekë veprimtarinë e organeve të reja të sistemit  të drejtësisë. Kjo për arsye se gjyqtarët dhe prokurorët janë të  palëvizshëm nga detyra, me përjashtim të rasteve kur kryejnë shkelje të rënda disiplinore ose kur mandati i tyre përfundon për shkak të daljes në pension, dorëheqjes apo  ndarjes nga jeta.

Kjo rezervë e Komisionit të Venecias vlerësohet se është arsyeja se përse në draftin përfundimtar të  amendamenteve kushtetuese, të miratuara nga Kuvendi, u parashikua një kohëzgjatje më e vogël e mandatit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që realizon vetingun në shkallë të parë dhe Komisionerit Publik (IKP) që  ushtron të drejtën e ankimit në interes të publikut ndaj vendimeve të KPK-së, përkatësisht 5 vjet nga data e fillimit të  funksionimit të tyre. Ndërsa mandati i gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) u parashikua 9 vjet, për shkak se shqyrtimi i ankimeve në këtë Kolegj do të vijonte në kohë edhe pas pushimit të ekzistencës së KPK-së.

Çfarë bilanci kanë këto institucione? 

Pavarësisht se funksionarët e këtyre institucioneve u zgjodhën nga Kuvendi në qershor të vitit 2017, vendimmarrjet  e para të vetingut datuan në shkurt të 2018-ës, për shkak të  vonesave që patën sa i takon pajisjes me personel, infrastrukturë, buxhet, por edhe kundërshtimit të ligjit të vetingut në Gjykatën Kushtetuese. Nga përpunimi statistikor që vetë Komiteti i Helsinkit i ka bërë vendimeve të arsyetuara në të dy shkallët e vetingut, nga fillimi i vetingut deri në prill të  2021, rezulton se KPK-ja ka dhënë 356 vendime të arsyetuara (nga 800 subjekte që vlerësohet se mund të jenë në total),  duke sjellë shkarkimin nga detyra me vendim të arsyetuar,  të rreth 36.2% e subjekteve, ndërkohë që vetingu është ndër- prerë, pushuar apo ka përfunduar për 22.7% të subjekteve  (si rezultat i dorëheqjes, daljes në pension, subjektet nuk  gëzonin statusin e magjistratit, etj.).

Vetëm 40.7% e subjekteve janë konfirmuar në detyrë. Shumica dërrmuese e ven- dimmarrjeve të shkarkimit nga KPK-ja, janë për gjyqtarët,  përfshirë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (64%), prokurorët (34%), etj. Motivi kryesor që ka sjellë shkarkimin e tyre është kriteri i pasurisë (pasuri e pajustifikuar, fshehje e të  ardhurave, etj.). Një pjesë e konsiderueshme e këtyre vendi- meve të KPK-së (afro 1/3 e tyre) janë ankimuar ose nga Ko- misioneri Publik ose vetë subjektet e prekura, në institucio- nin që realizon vetingun në shkallë të dytë, përkatësisht  pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Po gjatë kësaj periudhe, KPA-ja rezulton se ka dhënë 99 vendime, prej të cilave për 73.7% të subjekteve ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të KPK-së, ndërkohë që për 24.2% të subjekteve rezulton se vendimi i KPK-së është ndryshuar, duke sjellë në disa raste edhe shkarkimin e subjekteve të konfirmuara në shkallën e parë.

Duket se procesi i vetingut të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk do përfundojë brenda afatit të caktuar të institucioneve të vetingut. Në këto kushte, çfarë ndodh? Do të kemi një zgjate të mandatit të këtyre institucioneve?

Duke mos pasur mundësinë të parashikonte sa do të zgjaste procesi i vetingut ekzaktësisht, legjislatori parashikoi edhe një klauzolë tjetër që për çështjet e papërfunduara të vetingut brenda mandatit të institucioneve. Pas shpërbërjes  së KPK-së, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas ligjit. Çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të prokurorëve shqyrtohen nga  Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas ligjit. Pas shpërbërjes së komisionerëve publikë, kompetencat e tyre ushtrohen nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Ankimet ndaj vendimeve  të Komisionit ende të papërfunduara nga KPA-ja, do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Kalimi i këtyre kompetencave, institucioneve të tjera të pavarura të drejtësisë, nuk do t’i shërbejë vijueshmërisë së praktikave që kanë ardhur duke u konsoliduar prej tyre. Për më tepër, po të marrim në konsideratë ngarkesën  e KLGJ-së dhe KLP-së, vështirë se ato mund të përmbush- nin këto kompetenca të reja në kuadër të vetingut.

Gjithashtu, do të krijohej përplasje me kompetencat aktuale që  këto organe kanë si organe ndihmëse që vendosin në dispozicion të organeve të vetingut raporte vlerësimi për aftësitë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo pre- supozon që, pas përfundimit të vitit të 5-të të mandatit të  KPK-së, KLGJ-ja dhe KLP-ja do të marrin në shqyrtim dhe vlerësojnë raportet e përgatitura nga vetë ato për aftësitë  profesionale në kuadër të vetingut, çka krijon premisa për cenimin e parimit të një gjykate të pavarur dhe të paanshme, si pjesë e procesit të rregullt, një nga parimet bazë të procesit të vetingut (i cili është një proces gjyqësor).

Gjithashtu, kalimi i kompetencës së komisionerëve publikë, te drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme që ka funksione dhe kompetenca të natyrës procedurale-penale në luftën kundër korrupsionit  dhe krimit të organizuar, mund ta mbingarkonte Prokurorinë e Posaçme dhe të krijonte përplasje kompetencash, pasi vetingu është proces administrativ.

Pikëpyetja që shtrohet në këtë rast është se, a mundet një organ akuze si SPAK-u të hetojë potencialisht në të njëjtën kohë dhe administrativisht dhe penalisht të njëjtin subjekt?

Pavarësisht se, e drejta e nismës ligjore i përket Këshillit të Ministrave, 20,000 zgjedhësve apo çdo deputeti të Kuvendit, në kushtet e polarizimit politik dhe debateve që kanë shoqëruar zbatimin e  Reformës në Drejtësi, zgjidhjet apo propozimet për ndryshimet ligjore, në vlerësimin tim duhet të sugjerohen nga  përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të drejtësisë, të konsultuar me ekspertë në fushën e drejtësisë, misionet e asistencës ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile,  etj. Kjo do të minimizonte ose parandalonte ndërhyrjet e politikës dhe do të kontribuonte për garantimin e pavarësisë së  gjyqësorit.

Megjithatë, është organi legjislativ që ka atributet për të shqyrtuar dhe miratuar ligjet dhe rrjedhimisht fati i ndryshimeve të reja që mund të vlerësohen të domosdoshme  për të zhbllokuar disa nga problematikat e hasura në zbatimin e Reformës në Drejtësi, i takon Kuvendit të ri. Praktika  e ndjekur në mars të këtij viti nga Kuvendi aktual, që miratoi  një paketë të propozuar për ndryshime në 10 ligjet e Re- formës në Drejtësi pa një konsultim gjithëpërfshirës dhe në  kushtet e “shpejtësisë”, vlerësoj se nuk duhet të përsëritet.

Pavarësisht se u referua se institucionet e drejtësisë (KlGJ, KLP, ILD, Prokuroria e Përgjithshme, etj.), kishin dhënë mendimin e tyre për këto ndryshime, asnjë dokument nuk u publikua se cilat ishin sugjerimet e tyre konkrete dhe sa u reflektuan ato në paketën që gjeneroi 154 amendamente në ligjet e sistemit të drejtësisë.

Kush do e bëjë verifikimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që mbeten të pa veting? 

Kushtetuta parashikon se aneksi kushtetues për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve shfuqizohet nga Kuvendi, pasi vendimi i fundit të ketë marrë formë të prerë, si dhe mbi bazën e raportit të paraqitur nga kryetari i Apelimit mbi gjendjen e çështjeve të papërfunduara, ose kur përfundon mandati i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Kjo nënkupton që asnjë gjyqtar dhe prokuror që ka pasur këtë status pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe  që vijon të jetë në sistem, nuk do të mbetet pa veting. Mbarimi i mandatit të KPA-së sipas aneksit kushtetues, bën që  ankimet të vijojnë të shqyrtohen nga Gjykatës Kushtetuese.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *