“Vettingu” e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KLP shkarkon kryetarin e saj, ja pse mungoi Alfred Balla në mbledhje. Sherri mes anëtarëve të Këshillit

vettingu e perjashtoi per 15 vite nga sistemi i drejtesise klp shkarkon kryetarin e saj ja pse mungoi alfred balla ne mbledhje sherri mes anetareve te keshillit































VALENTINA MADANI/ Me 9 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ndërpresë mandatin e Ballës si anëtar. Ky i fundit u përjashtua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për 15 vite nga çdo funksion në sistemin e drejtësisë pasi për KPA në 2017 është larguar nga detyra e këshilltarit ligjor të Gjykatës së Lartë me dorëheqje.

ALFRED BALLA

Në nisje të seancës, anëtarët e Këshillit u përfshinë në debate nëse do të duhet të shkarkojnë kryetarin e tyre apo jo. Debati u zhvillua mes anëtarëve, Nurihan Seiti, Sokol Stojanit dhe nënkryetarit Tartar Bazaj. Sipas Seitit, mbledhja është e nxituar ndërsa shprehet se ende nuk është njohur me vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Nga ana tjetër, Bazaj u shpreh se nuk po nxitojnë për t’i zënë postin, ndërsa deklaroi se ai vetë nuk do të kandidojë për kryetar. Ndërkohë, për mospraninë e Ballës në mbledhje, Seiti tha se është gabim fatal nga ana e tij.

“Që nga data 21 nuk mund të ushtronte funksionin, pavarësisht tentativave të tij. Çdo pretendim që ka për vendimin e KPA, ka vetëm një mundësi sipas Kushtetutës, Gjykata e Strasburgut”, tha Sokol Stojani.

“Çfarë është ky nxitim për ta larguar nga detyra e kryetarit”, u shpreh Nurihan Seiti. Pas debateve, mbledhja u shty për disa orë. Që prej konstituimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Alfred Balla është i 5 anëtar që largohet për shkak të vetingut. Më 21 maj u përjashtua me 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.

VOTIMI

KLP miratoi me 9 vota pro vendimin për mbarimin e mandatit për Alfred Ballën. Bazuar në këtë vendim, Alfred Balla nuk mund të jetë më anëtar i KLP-së, pasi më parë KPA e përjashtoi për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë. Në mbledhjen e pasdites së KLP u paraqit një raport mbi atë se çfarë ka ndodhur nga momenti që KPA vendosi largimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë, ndërsa kreu në detyrë i KLP-së, ka kundërshtuar vendimin e Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Debatet në KLP konsistonin në faktin nëse qëndrimi në detyrë i Alfred Ballës si anëtar i KLP binte ndesh ose jo me vendimin e KPA. Sokol Stojani kërkoi në mënyrë të prerë zbatimin e vendimit të KPA-së, që e konsideroi si një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk mund të interpretohet dhe as të vihet në dyshim. Stojani tha se Kushtetuta e thotë qartazi, ndaj i kërkoi në seancën e paradites KLP-së që të merrte një vendim, bazuar pikërisht në vendimin e KPAsë.

Në fillimin e mbledhjes së pasdites së KLP-së, zv.kryetari Tartar Bazaj pyeti anëtarët nëse Alfred Balla mund të paraqitet si dëgjues në sallë, kërkesë e cila është pranuar, duke i dhënë kështu mundësi kreut të detyrë të KLP-së që të japë qëndrimin e tij. Këshilli ka rrëzuar kërkesën e Alfred Ballës për përjashtimin nga kjo mbledhje për Taratar Bazajn, për konflikt interesi.

Pro kërkesës së Ballës ka votuar vetëm anëtarja Nurihan Seiti. Alfred Balla vijonte të ishte anëtar i KLP-së dhe njëherazi kryetar i saj, megjithëse prej 18 dhjetorit 2023 i kishte përfunduar mandati 5 vjeçar. Balla qëndronte në detyrë në pritje të zëvendësimit të tij nga anëtari i ri, përfaqësues i shoqërisë civile, që duhet të zgjidhen nga Kuvendi.

Balla tentoi të shmangte procedurat e vetingut duke pretenduar se nuk ishte pjesë e sistemit, edhe pse bazuar në Kushtetutë, si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë ai ishte subjekt i kontrollit. Ndërsa kaloi fazën e parë në KPK pa një vendim të prerë, Komisioneri Publik iu drejtua KPA-së duke kërkuar përjashtimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë. Me 3 vota pro dhe 2 kundra, KPA vendosi që Alfred Balla të mos ishte pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vjet. Balla nga ana e tij ka paralajmëruar se do e çojë çështjen në Strasburg.

Reagimi, Alfred Balla: Nuk jam i shkarkuar, duhet të dëgjohem nga KLP

Alfred Balla iu drejtua me shkresë anëtarëve të KLP-së duke u bërë të ditur se nuk është i shkarkuar dhe se duhet të dëgjohet nga KLP. Balla u kujtoi atyre se kanë qejfmbetje ndaj tij, pasi siç thotë Balla, mbrojti publikisht 5 kolegët e shkarkuar nga KPA.

“Duke qenë një rast i veçantë i paparashikuar nga Kushtetuta dhe ligji organik dhe një vendim që cenon drejtpërdrejt interesat e mia, duhet të dëgjohem paraprakisht nga ky Këshill. Nuk do të ishte serioz dhe profesional përdorimi i një vendimi jopërfundimtar të organeve të rivlerësimit, me plotësimin e tij për zbatimin e nenit ‘G’ të Aneksit të Kushtetutës, pa u analizuar i gjithë vendimi i arsyetuar (ende nuk është zbardhur për fat të keq/është vënë në dispozicion arsyetimi i përmbledhur) e në uniformitet me të gjitha dispozitat kushtetuese dhe ligjet e tjera organike dhe rrethanat faktike të rëndësishme.

Përveç momenteve juridike që ju kam nisur me ‘email’, ku analizoj se nuk ndodhem në kushte të papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit, dua t’ju tërheq vëmendjen edhe për faktin se janë disa momente shumë të rëndësishme ligjore që duhet të ketë parasysh Këshilli, si në respekt të lartësisë së institucionit, ashtu edhe të të drejtave të mia kushtetuese. Këshilli duhet të ketë parasysh se, unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare që më ka mbaruar mandati ligjor 5 vjeçar prej datës 18.12.2023 dhe që aktualisht po qëndroj në detyrë.

Mandati im si anëtar i KLPsë si dhe ai i dy anëtarëve të tjerë jo magjistratë (z. Tartar Bazaj dhe Znj.Nurihan Seiti) të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, ka mbaruar me plotësimin e afatit 5 vjeçar të parashikuar nga Kushtetuta. Për këtë mandat kemi dhe vendimmarrje të Këshillit, ku kemi përcaktuar se kur mbaron mandati i secilit (vendimi i KLP-së Nr.213, datë 13.10.2020 “Për përllogaritjen e mandatit të anëtarit të Këshillit” i cili u mor me kërkesën e Kuvendit dhe shprehet për mandatin tonë)”, – shprehet Alfred Balla.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts