VIDEO/ Asnjë gjuajtje në portë, Shqipëria barazon me Uellsin mes… shkelmave






Shqipëria ka barazuar sot me Uellsin në miqësoren që ishte programuar prej muajsh.  Kuqezinjtë kanë bërë një pjesë të parë relativisht të mirë ku dukej një skuadër e vendosur si duhet dhe u përpoq të shfrytëzonte ndonjë gabim të uellsianëve për t’i ndëshkuar.

Walles-Shqiperia11

Rastin e vetëm të pastër të pjesës së parë dhe të gjithë takimit, e krijuam me Manajn, në minutën e 16-të. Sulmuesi lushnjar provoi me një gjuajtje të rrezikshme brenda zonës, por topi shkoi mbi traun e portierit kundërshtar.

Ajo që u vu re është që Shqipëria e ka të vështirë të ndërtojë aksione të shpejta dhe efikasëse, për të krijuar më shumë raste për gol. Gjatë gjithë ndeshjes, kuqezinjtë nuk vunë asnjëherë në provë portierin kundërshtar Henesi, sepse nuk gjuajtën asnjëherë në kuadrat.

Madje në pjesën e dytë ishte Uellsi ai që krijoi më shumë më shumë raste për shkak edhe të zëvendësimeve që bëri, ku skuadra jonë hasi vështirësi më së shumti në mesfushë sepse Abrashi e kishte të vështirë të bënte Kukelin apo Bashën para mbrojtjes dhe shpeshherë dilte jashtë pozicionit.

Megjithatë kuqezinjtë rezistuan falë edhe 2 akrobacive të Selmanit dhe morën një barazim të merituar në një ndeshje ku nuk munguan as shkelmat dhe tensioni i tepruar. Për këtë  mjafton të shikosh numrin e kartonëve të verdhë, plot 7 të tillë në total.

FT: UELLS-SHQIPËRI 0-0

KOMENTI LIVE: 

90′ Akordohen 2 minuta shtesë!

82′ Vetëm pak minuta në fushë, Laçi ndëshkohet me karton të verdhë. Sherr masiv në mesfushë. Ndëshkohet edhe Abrashi me karton të verdhë.

77′ Tjetër zëvendësim te Shqipëria, largohet Manaj në fushë Seferi.

76′ Reja kryen edhe 2 zëvendësime të tjera, largohen Bare dhe Çekiçi në lojë Laçi dhe Kallaku.

73′ Uellsi regjistron goditjen e parë në kuadrat me anë të numrit 3 Uilliams, fantastik Selmani i cili ndal topin në dy kohë.

71′ Zëvendësim te Uellsi, në fushë hidhet ylli i Totenhemit, Gareth Bejl, i cili zë vendin e Roberts.

68′ Provon Uellsi me Uillson, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

60′ Zëvendësim te Shqipëria, largohet Balaj, vendin e tij e zë Cikalleshi. Largohet edhe Lenjani, në fushë Trashi.

59′ Abrashi për pak sa nuk shkakton një autogol, me një devijim të rrezikshëm të topit.

58′ Moment tepër pikant, pas një dyluftimi në mesfushë mes Manajt dhe Dejvid, ky i fundit shtyn sulmuesin e Kombëtares, në afërsi të stolit kuqezi, duke rrëzuar edhe trajnerin Edi Reja. Futbollisti i Uellsit ndëshkohet me karton të verdhë.

55′ Uilliams provon me një goditje të rrezikshme nga distanca, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit.

49′ Berat Gjimshiti provon me një gjuajtje nga distanca, por tentativa e tij shkon jashtë kuadratit. Shqipëria bën presin në sulm.

48’ Manaj rrëzohet para zonës si rrjedhojë e një kontakti me Devis ndërs ndiqnin një top të gjatë nga prapavija, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

46′ Starton pjesa e dytë, Reja kryen menjëherë një zëvendësim, largohet nga fusha Doka, vendin e tij e merr Veseli.

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Sërish tension në fundin e ndeshjes, ku protagonist ishte Doka, i cili u kap me një prej futbollistëve uellsianë, por për fat të mirë, gjithçka u shua shpejt.

39′ Provojnë së rrezikojnë edhe uellsianët me Ramsejn, por e ndjek aty mjaft mirë Abrashi, tentativa e mesfushorit të Juventusit, shkon jashtë kuadratit.

38′ Çekiçi harkon një top të rrezikshëm pas një zhvillimi të një goditje këndi, por largon në momentet e fundit futbollisti Ampadu.

37′ Momente tenioni mes Gjimshitit dhe sulmuesit Bruks. Gjyqtari ndëshkon me karton të verdhë Manajn dhe Bruks. Tension krejtësisht i panevojshëm.

33’ Ramsej është i vetmi që mundohet të gjejë hapësira në qendër të prapavijës kuqezi, por deri tani nuk ka patur asnjëherë mundësinë që të tentojë portën e Selmanit.

28′ Ismajli ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar në mesfushë.

22’ Një goditje dënimi në të djathtë të sulmit nuk shfrytëzohet siç duhet nga kombëtarja shqiptare, pasi Çekiçi shpërdoron duke mos arritur të harkojë topin në zonë.

16′ Rast i artë për Shqipërinë me anë të Rei Manaj, që provon me një gjuajtje të rrezikshme brenda zonës, por sulmuesi ka qenë i pafat, pasi topi ka shkuar ngjitur me traun e portës.

10′ Minuta të mira për Shqipërinë, që mbrohet mirë dhe provon herë pas here të surprizojë uellsianët.

5′ Shqipëria shfaqet më kërkuese në këto minuta të para, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën e Uellsit, por ende nuk është regjistruar asnjë rast konkret në portat respektive.

1′ Starton sfida miqësorja!

FORMACIONET ZYRTARE –

UELLS – (4-4-2): Henesi; Ampadu, Mefam, Dejvis, Uilliams; Levit, Alen, Ramsi, Norrington-Dejvis; Bruks, Roberts. Trajner: Rob Pejxh.

SHQIPËRIA – (3-5-2): Selmani; Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti; Doka, Çekiçi, Bare, Abrashi, Lenjani; Balaj, Manaj. Trajner: Edoardo Reja.

for

PRECEDENTËT ME UELLSIN

7 shtator 1994 (Euro 1996) UELLS-SHQIPËRI 2-0

15 nëntor 1995 (Euro 1996) SHQIPËRI-UELLS 1-1

20 nëntor 2018 (Miqësore) SHQIPËRI-UELLS 1-0

BILANCI

Ndeshje: 3 Fitore: 1 Barazime: 1 Humbje: 1

G +: 2 G-: 3

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *