Tjetër rezultat zhgënjyes për Spanjën. Iberikët e Luis Enrikes, nuk mundën të shkonin më shumë se barazimi 1-1 ndaj Polonisë, në ndeshjen e dytë të vlefshme për Grupin E, duke vënë në rrezik, kualifikimin për më tej.
Edhe pse kaluan të parët në avantazh në minutën e 25-të më anë të Alvaro Moratës, spanjollët, nuk arritën të dilnin nga kjo përballje me 3 pikë, pasi ishte Robert Levandovski ai i cili në minutën e 54-t, me një gjuajtje të bukur me kokë brenda zonës, shtangu tifozët iberikë të pranishëm në stadiumin “La Cartuja”, të Sevijas.
Djemtë e drejtuar nga Enrike, kishin shansin e artë të kalonin sërish në avantazh në minutën e 58-të, kur Moreno gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Ky ishte barazimi i dytë për Spanjën, pas atij ndaj Suedisë, teksa sfidën e radhës verdhekuqtë do e luajnë ndaj Sllovakisë. Ndërkohë që Polonia do të tentojë gjithçka për gjithçka ndaj suedezëve në ndeshjen e fundit.
Me vetëm 2 pikë në 2 ndeshje, tifozëve iberikë u janë futur të dridhurat, teksa një rezultat negativ ndaj sllovakëve, do të sillte eliminimin.
FT: SPANJË-POLONI 1-1
Morata 26′ / Levandovski 54′
KOMENTI LIVE:
Mbyllet takimi!
90′ Akordohen 5 minuta shtesë.
87′ Tjetër zëvendësim te Spanja, largohet Morata, në vend të tij Ojarzabal.
83′ E pabesueshme çfarë shpërdoron Spanja me Alvaro Moratën. Sulmuesi i kombëtares iberike sfumon një tjetër shans të artë i vetëm përpara portës.
79′ Momente paniku në zonën e Polonisë, Spanja kërkon me ngulm golin e fitores, por fati është me polakët në këto minuta.
69′ Rrezikon Spanja. Një dalje e rrezikshme e portierit Shezni i lë hapësirë iberikëve të tentojnë portën, por reagon mbrojtja duke larguar topin nga zona.
67′ Zëvendësim në radhët e dyja skuadrave. Tek Polonia largohet Suderski futet në fushë Frankovski. Në radhët e ibreikëve largohet Moreno dhe Koke, teksa aktivizohen Sarabia dhe Fabian Ruiz.
61′ Zëvendësim te Spanja, largohet nga fusha Olmo, vendin e tij e merr Ferran Torres.
58′ Pafat Spanja. Moreno humbet penallti, tentativa e sulmuesit ndalet nga shtylla, topi shkon te Morata, që me portën e boshatisur e ka dërguar topin jashtë kuadratit.
54′ GOOOOOL POLONIA 1-1/ Vendoset baraspesha në stadiumin e Sevijas. Robert Levandovski gjen rrugën e rrjetës. Kapiteni polak godet saktë me kokë, pas harkimit nga e djathta.
46′ Starton pjesa e dytë!
Mbyllet pjesa e parë!
45′ Akordohet 1 minutë shtesë.
42′ E pabesueshme çfarë humbet Polonia. Fillimisht predha e Svidevskit u ndal nga shtylla, teksa Levandovski nga shumë pranë nuk arriti të realizonte, duke shpërdoruar një mundësi të artë.
35′ Kundërpërgjigjet Polonia me Svidevskin, por sulmuesi i Polonisë nuk arrin të shtyjë drejt rrjetës një asist mjaft të bukur të Levandovskit.
34′ Pranë golit të dytë Spanja, me Morenon, i cili provon nga një goditje dënimi në limitet e zonës, tentativa e tij shkon ngjitur me shtyllën.
26′ GOOOOL SPANJA 1-0/ Zhbllokohet sfida, iberikët në avantazh. Shënon Alvaro Morata, pas asistit të Morenos. Fillimisht u akordua pozicion jashtë loje, por më pas ndërhyri VAR-i dhe goli u konsiderua i rregullt!
19′ Levandovski provon të shpërthejë me një sprint afro 60 metra, por në fund, ishte kapiteni Zhordi Alba ai që arriti të fitonte duelin me sulmuesin polak.
14′ Spanja merr frenat e lojës në dorë, por rastet e rrezikshme në portën e Sheznit kanë qenë me pikatore në keto minuta. Iberikët qarkullojnë topin në mesfushë.
6′ Klish jep sinjalin e parë të rrezikshëm me një gjuajtje nga distanca, tentativa e tij shkon mbi traun e portës së mbrojtur nga Unai Simon.
5′ Të dyja skuadrat shfaqin dëshirë për ta fituar ndeshjen në këto minuta të para .
1′ Ka startuar sfida! Polonia shkelmon topin e parë nga qendra. Spanja menjëherë në sulm në kërkim të golit!
FORMACIONET ZYRTARE
Spanja: Unai Simon, Torres, Lorente, Alba, Moreno, Laporte, Olmo, Rodri, Koke, Pedri, Morata, Trajner: L. Enrike
Polonia: Shezni, Bednarek, Suiderski, Klish, Glik, Moder, Berezuski, Joziak, Zilinski, Pushak, Levandovski, Trajner: P. Souza
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al