
Militantët e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe militantët e kryedemokratit Lulzim Basha ndodhen në hollin e selisë blu dhe janë përplasur verbalisht me njëri-tjetrin.
Në hollin e selisë së PD ka një numër të shtuar qytetarësh të cilët janë të ndarë në dy kampe dhe dëgjohen ovacione, disa duke thërritur emrin e Sali Berishës dhe të tjerë duke thërritur emrin e Lulzim Bashës.
Një grua e cila ishte e pranishme në ambientet e selisë blu u shfaq e acaruar duke iu drejtuar militantëve me fjalët:
“Për ça arsye? Ato të grupit tjetër, unë s’po bëj asnjë skandal as po gjuj as po shaj, m’u afruan e më bënë presion unë nuk i kam asnjë faj kujt”.
Sipas korespondentit të Panorama, situata në katin e dytë të selisë blu nuk është e qetë për shkak të tensioneve që kanë krijuar mbështetësit e Bashës si dhe të Berishës.
Në të njëjtën kohë, në këtë kat, në dy zyra të ndryshme janë duke u mbajtur dy mbledhje, njëra e Berishës me komisionin e Rithemelimit si dhe ajo e kryetarit të PD Lulzim Basha për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në FRPD.
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al