
Milan komplikon shumë çështjen e titullit kampion. Atëherë kur pritej të fitonte me Bolognan, në një sfidë të lehtë në letër, ndodh ajo që më pak pritej. Kuqezinjtë barazojnë pa gola në javën e 31- të kampionatit italian ndaj ekipit të Mihajlovic, në sfidën e luajtur në San Siro.
“Kërcënimi” i parë serioz i miqve do vinte në minutën e 26-të. Musa Barroë provon një goditje nga larg, por Maignan është i vëmendshëm dhe bën një pritje vendimtare. Pjesa e parë do mbyllej me “ngacmime” të lehta, teksa të dyja skuadrat do shkonin të qeta në dhomat e zhveshjes.
Sapo nis fraksioni i dytë, ai që tenton që t’i japë avantazhin kuqezinjve është Leao, por gjuajtja e tij ndalet nga Skorupski. Në minutën e 61-të, po sulmuesi portugez Leao merr një pasim të bukur nga Calabria, gjithsesi, goditja e tij shkon larg kuadratit. Tjetër shans i artë për të do vinte në të 72-tën, por topi shkon afër shtyllës së djathtë. Miqtë bolonjez fitojnë sekonda të çmuara në fund duke u shtrirë në fushë, sakaq presioni për milanistët sa vinte e shtohej.
Milan, kështu, është në vendin e parë me 67 pikë. Ky është një hap fals për ekipin e Piolit, të cilët shohin tashmë më afër Napolin dhe Interin, që kanë përkatësisht 67 dhe 66 pikë.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al