VIDEO / Vazhdon momenti i artë i Teutës, durrsakët marrin Superkupën në debutimin e VAR










Teuta është shpallur për të dytin edicion radhazi fituese e Superkupës së Shqipërisë pasi ka fituar sot përballë Vllaznisë këtë trofe që hap zyrtarisht sezonin futbollistik në Shqipëri.

Teuta-Vllaznia

Në një ndeshje shumë të luftuar, gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë kur durrsakët goditën dy herë brenda 5 minutash me Aleksin e Grudën të cilët gjetën të përgjumur prapavijën e kuqebluve.

Shkodranët reaguan por u ndalën në disa raste nga VAR, teksa në fund pësuan edhe goditjen e KO përfundimtar nga Plaku.

TEUTA-VLLAZNIA 3-0
57′ Aleksi, 62′ Gruda, 90’+4′ Plaku

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 3-0 të Teutës.

90’+4’ GOOOL Teuta, shënon Sebino Plaku. Sulmuesi përfiton nga një pasim i artë i Kallakut për të dërguar sferën në rrjetë.

90’+1’ Da Silva shfaqet përsëri në zonë, duke gjuajtur drejt portës por Qirko ndal goditjen e tij.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

90’ Pasim perfekt për Plakun i cili del para portës, por gjuan përsëri jashtë.

83’ Gol i anuluar me konfirmimin e VAR. Çoba çon sferën në rrjetë por sinjalizohet në pozicion jashtë loje, Meta dëgjon udhëzimet nga salla e VAR dhe konfirmon vendimin e anësorit.

80’ Momenti i parë i përdorimit të VAR për të gjykuar një kundërsulm të Vllaznisë ku Qirko ndërhyri në këmbët e Haralica. Pas konsultimit, Meta bën shenjë që loja të vazhdojë.

75’ Kundërsulm i shpejtë i Teutës me Plakun i cili shfaqet para Zogoviç, por fluturon topin mbi traversë.

73’ Da Silva në krahun e majtë bën gjithçka mirë duke nisur topin në qendër të zonës por dy lojtarë të shkodranëve aty nuk ia dalin të devijojnë sferën në rrjetë.

72’ Sulmuesi i sapofutur në lojë niset në krahun e djathtë, por pastaj vonohet dhe humb mundësinë për të pasuar në qendër.

71’ Largohet edhe Heriç, me Çobën i cili hyn në lojë për shkodranët.

70’ Xhekson shërben për Kallakun me këtë të fundit që gjuan nga vendi në hyrje të zonës, por sfera përfundon mbi katërkëndorin e portës.

69’ Jonuzi dhe Kruja i lënë vendin në fushën e lojës Haralica dhe Da Silva, pasi shkodranët orientohen të sulmojnë me forca të shumta në këto minuta.

62’ GOOOL Teuta, shënon Gruda. Sulmuesi i vjedh topin Gurishtës dhe del para Zogoviç, shmang edhe portierin e dërgon sferën në rrjetë.

61’ Lëvizje te Teuta me Grudën i cili merr vendin e Gorgiev.

57’ GOOOL Teuta, shënon Albano Aleksi. Mesfushori gjuan nga jashtë zonës dhe gjen të papërgatitur Zogoviç, i cili sheh sferën të përfundojë në rrjetë.

50’ Nga ana tjetër Zogoviç detyrohet të dalë për të ndaluar një kundërsulm të shpejtë pas një topi të gjatë për Gorgiev.

49’ Goditje nga këndi e rrezikshme e shkodranëve, me Teutën që ka vështirësi të largojë sferën.

46’ Nis pjesa e dytë e ndeshjes.

45’+4’ Mbyllet pjesa e parë me barazimin pa gola mes Teutës dhe Vllaznisë.

45’+1’ Top i gjatë për Plakun i cili gjuan pas një topi me kokë të Gorgiev, me sferën që përfundon në duart e Zogoviç. Protesta të shkodranëve për pozicionin e sulmuesit. por nuk ka ndërhyrje të VAR.

45′ Jepen 3 minuta shtesë.

40’ Harkim perfekt i Xhekson në krahun e majtë për Plakun në qendër, por sulmuesi nuk arrin të devijojë para Zogoviç.

33’ Dianje del mirë nga mbrojtja dhe jep një top të artë për Latifin i cili e ka rrugën e pastër para tij. Selmani ndërhyn në momentin e fundit dhe i heq topin nga këmbët sulmuesit duke shpëtuar katërkëndorin e tij nga një situatë e vështirë.

30’ Tjetër përplasje në fushën e lojës dhe tashmë Meta nuk fal, duke i treguar kartonin e verdhë Aleksit dhe Latifit.

26’ Ka tension mes skuadrave në fushën e lojës pas një faulli në mesfushë, por qetësohet gjithçka brenda pak çasteve.

24’ Plaku ul në mënyrë të shkëlqyer topin për Gorgiev i cili gjuan në hyrje të zonës, por Zogoviç është i vëmendshëm dhe kontrollon në dy kohë.

17’ Dianje tregon se ka probleme dhe bën që të ndalet loja, me stafin mjekësor të Vllaznisë që hyn në fushë për të ndihmuar futbollistin i cili vendos të vazhdojë.

9’ Gorgiev hyn në zonë pas një topi të gjatë duke kontrolluar mirë e gjuajtur, por Zogoviç ndërhyn në momentin e fundit dhe bllokon sferën ndërsa më pas Plaku e dërgon në duart e portierit.

8’ Teuta organizon një sulm të shpejtë duke i mundësuar Dajës të dalë në pozicion ballor. Mesfushori gjuan drejt portës por gjen të gatshëm Zogoviç me grushtimin e tij.

3’ Jonuzi provon nga jashtë zonës me një gjuajtje të fortë, sfera grushtohet nga portieri Qirko e më pas mbrojtja largon rrezikun.

1’ Nis ndeshja me shkelmimin nga qendra të skuadrës së Vllaznisë.

FORMACIONET ZYRTARE –

Teuta: Qirko, Todorovksi, Ivanoviç, Selmani, Xhekson, Aleksi, Daja, Kallaku, Vila, Plaku, Gjorgjiev. Trajner: Edi Martini.

Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Dianje, Bulatoviç, Krymi, Jonuzi, Heriç, Kruja, Latifi, Gjurgjevikj. Trajner: Thomas Brdariç.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *