
20:23 15/03/2022
Zelensky: Gati të heqim dorë nga NATO
Rusia dhe Ukraina po mbajnë sërish negociata për arritjen e një marrëveshjeje që do i jepte fund konfliktit të armatosur. Ashtu si një ditë më parë edhe këtë të martë bisedimet janë mbajtur online nëpërmjet një video-konference, por ende nuk ka detaje.
Ndërkohë këtë të Martë Kryeministrat e Polonisë, Republikës Ceke dhe Sllovenisë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për t’u takuar me presidentin e vendit Volodymir Zelensky. Ata kaluan kufirin Ukrainas dhe më pas ndërmorën udhëtimin e tyre drejt Kievit me tren. Te tri liderët synojnë të paraqesin një paketë të gjerë mbështetje për Ukrainën pas këtij udhëtimi simbolik që synon të tregojë solidaritetin europian me popullin e Ukrainës.
Më herët Zelensky mbajti një fjalim përpara parlamentit kanadez, ku përsëriti sërish kërkesën e tij për mbylljen e hapësirës ajrore. Ndërsa në një tjetër dalje presidenti ukrainas është shprehur se vendi i tij duhet të pranojë se nuk do të anëtarësohet në NATO.
Po sot Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike Jens Stoltenberg tha se ndërhyrja e aleancës kundër agresionit rus do të ishte vetëm nëse Rusia sulmon një nga 30 vendet anëtare. Stoltenberg shtoi gjithashtu se aleanca do të rrisë prezencën e saj ushtarake në vendet anëtare.
Tv Klan