Viti i artë i Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit! Suksesi më i madh që sporti në Kosovë arriti më 2021

Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë sinonim i suksesit më të madh që sporti në Kosovë arriti më 2021. Dy xhudistet nga Kosova ishin të pamposhtura në tatami në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që u mbajtën më 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Më 24 korrik, xhudistja 26-vjeçare Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Dy ditë më vonë, ishte radha e xhudistes 29-vjeçare, Nora Gjakova që të rrëmbente medaljen e dytë të artë në këto lojëra për Kosovën.

“Medaljen ia dedikoj Kosovës, familjes dhe trajnerit Driton Kuka”, deklaroi Distria pasi fitoi medaljen e artë olimpike.

Për Norën, medalja olimpike ishte një ëndërr.

“Po më duket si ëndërr, po ja ku jam sot në vendlindjen time, me popullin shqiptar, e me medaljen e artë olimpike. Ta gëzojnë së bashku. Kjo është për ju”, deklaroi Nora Gjakova me t’u kthyer nga Tokio.

Në total, deri më tani Kosova ka tri medalje të arta olimpike, të tria në xhudo, e të tria të fituara nga tri gra.

Xhudistet më të mira në botë
Përveç se fituan medalje të arta olimpike, Nora dhe Distria arritën që të dalin në krye të listës së xhudisteve në botë, në kategoritë e tyre respektive.

Në fund të dhjetorit u përditësua lista e xhudisteve dhe Distria doli e para në kategorinë deri në 48 kilogramë me 5,920 pikë.

Nora, ndërkaq, deri në kategorinë 57 kilogramë doli e para me 5,880 pikë.

Unioni Evropian i Xhudos tha se ky mund të quhet “viti i Distria Krasniqit”. Ndërkaq, për Norën tha se e “dominoi sportin e xhudos”, në kategorinë e femrave.

Distria pati edhe një arritje tjetër këtë vit, kur më 18 dhjetor, Federata Ndërkombëtare e Xhudos e shpalli atë xhudisten më të mirë në botë.

Gjatë karrierës së saj sportive, Distria Krasniqi ka fituar 18 medalje të arta: një medalje olimpike, një në Kampionatet Botërore, tri në Masters, dy në Grand Slam, tri në Kampionatet Kontinentale, gjashtë në Grand Prix, një në garat evropiane dhe një në Kupën Kontinentale.

Nora Gjakova deri më tani ka arritur të fitojë 12 medalje të arta: një medalje të artë olimpike, dy medalje të arta në Grand Slam, një në Kampionatet Kontinetale, pesë në Grand Prix dhe tri në garat evropiane.

Pas lojërave në Tokio, Distria ndryshoi kategorinë dhe tani në gara do të ndeshet me xhudistet që bëjnë pjesë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në këtë kategori, më 2016, në Lojërat Olimpike në Rio, xhudistja Majlinda Kelemendi i solli medaljen e parë të artë Kosovës.

Pas lojërave në Tokio, Majlinda njoftoi se do të pensionohet nga sporti aktiv dhe do të vazhdojë punën si trajnere e xhudos.

Ndërkaq, Distria dhe Nora kanë synim që të korrin suksesin e njëjtë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Por, deri atëherë, viti 2021 do të mbetet vit i artë për këto dy sportiste nga Kosova./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.