Vizita e sekretarit Blinken në Afrikë

21:50 20/11/2021

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vijon turin e tij në Afrikë, ndërsa ndalesa e radhës ishte Nigeria, ku u takua me presidentin Muhammadu Buhari.

Zoti Blinken theksoi se administrata e presidentit Biden vlerëson Nigerinë dhe të gjithë kontinentin afrikan si një faktor të rëndësishëm gjeopolitik dhe një partner në skenën botërore. Por ai gjithashtu ngriti çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut si dhe kritikoi përdorimin e forcës brutale nga autoritetet e sigurisë.

“Amerikanët dhe afrikanët ndajnë një dëshirë të zjarrtë për të jetuar në vende ku të drejtat e tyre respektohen, zëri i tyre dëgjohet dhe qeveritë e tyre punojnë për ta. Duke punuar së bashku, ne mund të mbështesim demokracinë, në vendet tona dhe në mbarë botën”, tha zoti Blinken.

Muajin e kaluar, të rinjtë nigerianë mbajtën protesta përkujtimore në Lagos dhe Abuja, një vit pasi forcat e sigurisë shtypën me dhunë protestat masive kundër brutalitetit të policisë dhe qeverisjes së keqe.

Deklarata e zotit Blinken u mirëprit nga Michelle Gavin, eksperte për Afrikën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Duhet të fillojmë të mendojmë më shumë. Kur SHBA flet për qeverisjen, nuk janë vetëm modalitetet e zgjedhjeve, por kapaciteti qeverisës, ofrimi i shërbimeve. Çdo qeveri duhet të punojë për njerëzit. Dhe kur kjo nuk ndodh, ndryshimi duhet të vijë përmes votimit dhe vendi të marrë një drejtim të ri”, thotë ajo.

Sekretari Blinken po ashtu foli edhe për konkurrencën reale mes Amerikës dhe Kinës në këtë kontinent, por tha Uashingtoni nuk mund të detyrojë një shtet të zgjedhë.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan të kufizojnë partneritetin tuaj me vendet e tjera; duam t’i bëjmë partneritetet tuaja me ne edhe më të forta. Ne nuk duam t’ju bëjmë të zgjidhni; ne duam t’ju japim zgjedhje. Së bashku, ne mund të ofrojmë përfitime reale për njerëzit tanë për çështjet që kanë më shumë rëndësi për ta”.

Zoti Blinken e filloi udhëtimin e tij në Afrikë nga Kenia, për të rritur përpjekjet e përbashkëta që të arrihet një armëpushim në luftimet në Etiopi.

Ndërkohë ish-ambasadori i SHBA-së dhe ish-ndihmës sekretari i shtetit, Johnnie Carson thotë për Zërin e Amerikës se Afrika nuk duhet parë nga SHBA thjesht si një vend që duhet të bashkohet për të kundërshtuar ndikimin e Kinës.

“Pra, unë mendoj se ka një ndryshim thelbësor midis politikave që po zbaton administrata Biden dhe politikave që u zbatuan nga administrata e fundit nën drejtimin e ish-Sekretarit Pompeo dhe ish-Presidentin Trump. Shtetet e Bashkuara, administrata Biden, e vlerësojnë Afrikën si një partner të rëndësishëm për çështjet globale, duke filluar nga ndryshimet klimatike te trafikimi i qenieve njerëzore e deri te forcimi i lidhjeve tona ekonomike. Pra, është një marrëdhënie e rëndësishme”, thotë ai.

Ndalesa e fundit e zotit Blinken është Senegali, një demokraci kryesisht myslimane e parë nga shumë njerëz si një ishull stabiliteti në një rajon gjithnjë e më të pasigurt./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *