VOA: Ligjvënësit nuk zgjedhin Kevin McCarthy-in kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve, pas tri raundesh votimi

voa ligjvenesit nuk zgjedhin kevin mccarthy in kryetar te dhomes se perfaqesuesve pas tri raundesh votimi

Dhoma e Përfaqësuesve nuk arriti të zgjedhë Kryetarin e saj, ndërsa një grup ligjvënësish konservatorë vazhduan të votojnë kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan Kevin McCarthy për të marrë drejtimin e sesionit të 118-të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Kjo ishte hera e parë në 100 vjet, që asnjë kandidat republikan apo demokrat nuk u zgjodh që në raundin e parë të votimit në postin e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka 435 anëtarë.

Zoti McCarthy nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tre raundesh votimi. 20 kolegë republikanë e kundërshtuan kandidaturën e tij në raundin e fundit. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të vazhdojë mesditën e së mërkurës me një raund të katërt votimi, por nuk ishte e qartë nëse do të ndryshonin qëndrim disa nga kundërshtarët e zotit McCarthy, apo nëse mund të shfaqeshin edhe kandidatë të rinj.

voa ligjvenesit nuk zgjedhin kevin mccarthy in kryetar te dhomes se perfaqesuesve pas tri raundesh votimi

Republikanët do të kenë një shumicë të ngushtë 222-212 në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa një vend është momentalisht vakant. Për rrjedhojë, zotit McCarthy, i cili shërben prej 16 vitesh si ligjvënës nga Kalifornia, do t’i duhet të sigurojë të paktën 218 vota për t’u bërë kryetar. Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, ai do të bëhej edhe zyrtari i dytë në radhën e hierarkisë për marrjen e detyrës së presidentit amerikan.

Megjithatë, 19 republikanë, shumë prej të cilëve patën shprehur gjatë javëve të fundit pikëpamjen se zoti McCarthy nuk ishte mjaftueshëm konservator për të udhëhequr ligjvënësit republikanë, votuan për ligjvënës të tjerë republikanë gjatë raundit të parë të votimit, si për ligjëvënësit Andy Biggs nga Arizona dhe Jim Jordan nga Ohajo, dy kundërshtarë të zëshëm të Presidentit demokrat Joe Biden.

Ligjvënësi Jim Jordan
Ligjvënësi Jim Jordan

Në raundin e tretë të votimit, 20 disidentë republikanë votuan për zotin Jordan, megjithëse ai vetë propozoi kandidaturën e zotit McCarthy për drejtues të shumicës republikane gjatë sesionit të ri dyvjeçar të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries nga Nju Jorku, mori votat e të gjithë 212 ligjvënësve demokratë, dhe kryesoi kështu në votime, megjithëse ai nuk ka ndonjë shans për të fituar, pasi asnjë ligjvënës republikan nuk ka në plan të votojë për të. Në votimin më të fundit, 202 republikanë votuan për zotin McCarthy, pra 16 më pak nga 218 votat që i nevojiten.

57-vjeçari McCarthy, që është vetë një konservator i vendosur, është përpjekur prej vitesh të marrë drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gjatë javëve të fundit, ai u takua në mënyrë të përsëritur me kundërshtarët e tij republikanë, për të siguruar mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij për kryetar.

Zoti McCarthy ofroi që të ndryshojë rregullat qeverisëse të Dhomës së Përfaqësuesve, si p.sh. lejimin e një votimi të befasishëm për të shpallur vakant postin e kryetarit dhe përzgjedhjen kështu të një personi tjetër, në rast se nuk kishte dakortësi për qëndrimet e tij politike apo për mënyrën se si grupi i ligjvënësve të partisë së tij do të bënte hetimet e premtuara ndaj Presidentit Biden dhe administratës së tij.

Por, ndërsa vazhdonte procesi i gjatë i thirrjes së emrave të ligjvënësve për të votuar, u bë e qartë se zoti McCarthy nuk kishte votat e mjaftueshme për të fituar shumicën.

Kushdo qoftë ligjvënësi që republikanët do të zgjedhin për kryetar, qoftë zotin McCarthy apo dikë tjetër, ai do të zëvendësojë Kryetaren demokrate në largim, Nancy Pelosi, e cila vazhdon të jetë ligjvënëse dhe votoi në favor të zotit Jeffries.

Zonja Pelosi dhe Ligjvënësi Jeffries
Zonja Pelosi dhe Ligjvënësi Jeffries

Demokratët, të cilët ruajtën 50 me 50 balancën e përfaqësimit në Senat gjatë dy viteve të fundit, fituan avantazhin në zgjedhjet mbarëkombëtare për Kongresin dy muaj më parë, duke siguruar një shumicë 50 me 49 në Senat, megjithëse ish-Senatorja demokrate Kyrsten Sinema njoftoi se do të ishte tashmë e pavarur, por se nuk do të ndryshonte filozofinë e saj të votimit. Ajo ka votuar zakonisht sipas mënyrës së votimit të ligjvënësve demokratë dhe në mbështetje të Presidentit Biden.

Zoti McCarthy fitoi 188 vota në grupin e ligjvënësve republikanë në muajin nëntor, dhe që nga ajo kohë ka siguruar më shumë mbështetje për përpjekjen e tij për të arritur shumicën prej 218 votash për t’u bërë kryetar, siç u tregua edhe me rezultatin prej 203 votash që mori në favor të tij gjatë dy raundeve të së martës.

Por, një grup më i djathtë në radhët e ligjvënësve republikanë kundërshton kandidaturën e zotit McCarthy për kryetar, pasi thonë se ai nuk i është përkushtuar sa ç’duhet kauzës konservatore dhe pasi përfaqëson atë që e konsiderojnë si drejtim të dështuar republikan, me një president demokrat në Shtëpinë e Bardhë që nxit miratimin e politikave progresiste sociale dhe planeve për shpenzime buxhetore që kundërshtohen nga shumica e republikanëve.

Përzgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve ndodh përpara se ligjvënësit të kenë bërë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar. Gjatë procesit, ligjvënësit thërrasin nga salla ku janë mbledhur për plenaren, emrin e preferuar për kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve. E njëjta pamje pritet të paraqitet edhe gjatë raundit të katërt të votimit, madje ndoshta edhe më pas./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts