
19:03 08/04/2022
Të shokuar nga ajo çfarë panë në Bucha
Siç e kishin planifikuar, Ursula Von der Leyen dhe Josep Borrell zhvilluan këtë të premte vizitën e tyre në Ukrainë, në mes të sulmit rus.
Presidentja e Komisionit dhe kreu i diplomacisë europiane u nisën pa zbardhur ende dita nga një stacion treni në një qytezë polake fare pranë kufirit me Ukrianën. Siç duket edhe nga pamjet, treni mban ngjyrat e flamurit ukrainas.
Presidentja e Komisionit Europian dhe Kryediplomati i BE-së vizituan fillimisht qytetin Bucha, qytet ku Rusia ka kryer masakra ndaj civilëve duke lënë më shumë se 300 të vrarë.
Të veshur me jelekë anti-plumb dhe të shoqëruar nga Kryeministri ukrainas dhe forca të shumta ushtarake, ata panë një varr masiv me trupat e atyre që humbën jetën nga kjo masakër. Ursula Von der Leyen mbeti e shokuar nga ajo çfarë pa në këtë qytet .
“Është e paimagjinueshme ajo çfarë ka ndodhur këtu. Ne kemi parë fytyrën mizore të ushtrisë së Putinit dhe zemërin e ftohtë me të cilën ata kanë pushtuar qytetin”.
Von der Leyen dhe Borrell u takuan edhe me Presidentin Volodimir Zelenski. Në fokus të vizitës së zyrtarëve të lartë të unionit është mbështetja e Bashkimit Europian për Ukrainën, që prej një muaji i gjysmë gjendet mes sulmit të ashpër të ushtrisë ruse.
Diskutimet po ashtu fokusohen edhe tek ndihmat humanitare kryesisht në ushqime, që BE është e gatshme t’i ofrojë ukrainasve. Vizita vjen menjëherë pasi unioni miratoi paketën e 5-të të sanksioneve ndëshkuese financiare ndaj Rusisë, që i heqin 10 miliardë Euro të ardhura vjetore Moskës. Paketa fokusohet tek ndalimi i importit të qymyrit dhe do të hyjë në fuqi në mes të Gushtit.
Tv Klan