Von der Leyen marrëveshje me Ilham Aliyev

von der leyen marreveshje me ilham aliyev
von der leyen marreveshje me ilham aliyev

22:40 18/07/2022

Azerbajxhani do të dyfishojë importet e gazit natyror për BE-në

Sipas marrëveshjes mes Ursula von der Leyen dhe presidentit Ilham Aliyev Azerbajxhani, do të shtojë dërgesat e gazit natyror drejt BE-se nga 8.1 miliardë metra kub në vitin 2021 në një sasi prej 12 miliardë metra kub në vitin 2022. Azerbajxhani llogaritet se ka rreth 1.3 trilion metra kub rezerva të provuara të gazit natyror. Marrëveshja do të shtojë furnizimin e BE-se me gaz azer përmes Korridorit Jugor të Gazit, një projekt i përbashkët mes Brukselit dhe Bakuse që u nisi në vitin 2018 dhe merr furnizime kryesisht nga fushat e gazit në Detin Kaspik. Furnizimet përmes tubacionit pritet të arrijnë në 12 bcm këtë vit.

Që nga muaji Dhjetor i vitit 2020 Europa merr gazin azerbajxhanas nga gazsjellësi TAP i cili është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, duke sjellë gaz natyror në Europë nga fusha detare e Shah Deniz II në Detin Kaspik. Duke u lidhur me gazsjellësin Trans Anatolian në kufirin greko-turk, TAP kalon Greqinë Veriore, Shqipërinë dhe Detin Adriatik përpara se të dalë në bregun italian. Gazsjellësi TAP ka një kapacitet prej 10 miliardë metra kub në vit (bcm/vit) dhe është projektuar me potencialin për të dyfishuar kapacitetin e tij në 20 bcm/vit. Në vitin 2023 TAP do të arrijë të transferojë gazin azer me kapacitetin e plotë.

TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz për disa vende të Europës Juglindore. Bullgaria do të lidhet me TAP-in nëpërmjet interkonjeksionit Greqi-Bullgari (IGB), i cili sapo ka përfunduar dhe pret certifikimin, dhe do të importojë 1 bcm/vit gaz azerbajxhanas, që përfaqëson rreth një të tretën e konsumit të saj vjetor. Deri kohët e fundit Bullgaria ishte e varur nga importet e gazit rus pothuajse 100%.

Megjithëse vëllimet e importuara në BE nëpërmjet TAP-it janë të konsiderueshme, ato nuk mund të zëvendësojnë 155 bcm/vit që blloku importon nga Rusia.

Ndërkohë, tranziti rus i gazit nëpërmjet Polonisë është ndalur këtë vit dhe dërgesat e gazit nëpërmjet Ukrainës janë kufizuar së tepërmi.

Rusia siguronte deri tani rreth 40% të nevojave të BE-se per gaz por që nga agresioni rus ndaj Ukrainës BE-ja po kërkon furnizues alternativë për të përmbushur nevojat e saj energjitike. Memorandumi midis BE dhe Baku përshkroi gjithashtu propozime për të ulur emetimet e metanit dhe për të rritur investimet në energjinë e rinovueshme dhe hidrogjenin.

BE-ja ka qenë më parë kritike ndaj shkeljes të të drejtave të njeriut në Azerbajxhan nga pushteti I drejtuar nga presidenti Ilham Aliyev. Von der Leyen tha se ky vend duhet që “të krijojë kushtet e duhura për besimin e investitorëve“, duke përfshirë garancitë e një media të pavarur. BE do të investojë 60 milionë Euro për të zgjeruar tregtinë me Azerbajxhanin deri në vitin 2024. Qeveritë e BE-së kanë rënë dakord tashmë për një embargo graduale të naftës e gazit ndaj Rusisë dhe shumë vende europiane kanë shprehur frikën e mungesës së karburantit, veçanërisht më vonë gjatë vitit kur fillon moti më i ftohtë.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts