Votëbesimi i Qeverisë, Basha: Formalizim i PPP-ve Rama-Doshi-Rakipi.Berisha? Nuk ka kthim pas





MARIGLEN KUME/ Kryedemokrati Lulzim Basha reagoi dje menjëherë pas bashkimit të votave në Parlament mes Partisë  Socialiste dhe asaj Social-demokrate për të votëbesuar qeverinë “Rama 3”

lulzim basha 17 shtator

Në një dalje për mediat ditën e djeshme nga selia blu, Basha u shpreh se 77 votat pro qeverisë së re orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, formalizuan bashkëpunimin e paralajmëruar përgjatë fushatës së Partisë Socialiste dhe Partisë Social-Demokrate që ka ende kryetar Tom Doshin. “77 votat e sotme, janë formalizimi i PPP-së, Rama-Doshi-Rakipi bashkë me kriminelët e dosjes ‘184’, të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe të dosjes ‘339’ të Shijakut bashkë me Rahman Rrajën të njohur ndërkombëtarisht për rekordet e tij kriminale, janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar, janë fatkeqësia kombëtare.

Qëllimi i kësaj PPP-je, i kësaj pakice plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre, të mbajnë pushtetin në kurriz dhe në kosto të familjeve shqiptare. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithçka për t’i larguar këta armiq të demokracisë nga salla e Parlamentit dhe për t’i kthyer shqiptarëve demokracinë, Parlamentin dhe qeverisjen e vullnetit të tyre të lirë”, tha Basha në deklaratën për mediat. Gjatë fushatës, por edhe në ditët e para pas zgjedhjeve të 25 prillit, ishin të shpeshta akuzat e kreut të selisë blu Lulzim Basha ndaj bashkëpunimit të Kryeministrit Rama me ish-deputetin Aqif Rakipi dhe kryetarin e PSD-së, Tom Doshi. Por, ky togfjalësh doli nga diskursi i kreut të PD-së pas vendimit të DASH-it për të shpallur edhe Sali Berishën person “non grata”. Ndërkohë, pas vendimit për ta përjashtuar nga grupi i PD-së, duket se Basha i është kthyer akuzave të mëparshme.

PËRJASHTIMI I BERISHËS

Në vijim, kreu i selisë blu iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve lidhur me dekaratat e një dite më parë të Berishës se ka nisur mbledhjen e firmave në Kuvend për të thirrur në mbledhje PD-në dhe të hedh në votim vendimmarrjen e kreut të PD-së. Në përgjigjen e tij, Basha u shpreh se i qëndron konsideratave që ka për liderin historik të PD-së, por vendimi sipas tij, nuk ka kthim pas. Këtë Basha e lidh me vendimin e DASH-it që shpalli “non grata” Berishën. “Nuk kam asgjë për t’i shtuar asaj që kam deklaruar një javë më parë sa i përket kontributit të Sali Berishës për zhvillimin e Shqipërisë, demokracisë dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, dua të jem fare i qartë, aleanca dhe partneriteti i Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet dhe do të mbetet i pacenueshëm në interesin më të mirë të demokratëve shqiptarë, në interesin më të mirë të së nesërmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe për këtë arsye, ne së bashku me të gjithë shqiptarët që mezi po presim ndryshimin, do të bëjmë gjithçka për ta realizuar aspiratën e tyre për ndryshim. Nuk ka kthim pas”, përfundoi Basha.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *