
Opinioni publik u trondit sërish nga vrasja e 15 vjeçarit në Gramsh të martën, pas një konflikti me thika me bashkëmoshatarë të tij ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur. Sherri mendohet se nisi në rrjetet sociale. Fatjon Bici u gjend rastësisht në konflikt, pasi ndërhyri për të shuar ‘zjarrin’, por ngeli viktimë vetë.
Vrasja e Fatjonit është një krim i përsëritur mes adoleshentëve. Diana Kanaj, këshilltare për Fëmijët dhe Rininë në World Vision Albania, gishtin e fajit e drejtojnë fillimisht tek familja dhe rrethi i ngushtë.
“Mendoj se përgjegjësia qëndron tek të gjithë, qëndron tek familja, qëndron tek shoqëria, qëndron tek familja, qëndron tek komuniteti shkollore tek bashkëmoshataret.
Duke normalizuar dhunën çdo ditë, duke nisur që nga mosha e vogël brenda familjes por edhe jashtë saj mendoj se është problematike.
Në vlerësimet tona rrethi i ngushtë familjarët janë abuzuesit me të zakonshëm ndaj një adoleshenti këtu e gjejmë edhe vatrën ku ndodh normalizimi i dhunës. Mendoj se shqetësimi jonë është nëse po i dëgjojmë po i njohim fëmijët tanë, kështu parandalojmë dhunën”,- tha për televizionin News 24 Kanaj.
Rrjetet sociale gjithashtu nxisin dhunën mes adoleshentëve pasi ofrojnë modele të gabuara ku glorifikohet gjuha e urrejtjes.
“Mendoj se rrjetet sociale janë ato që shprehet pak më shumë gjuha e urrejtjes, por mos të harrojmë që edhe në përditshmërinë çdokujt i ra rënë rasti të shohë adoleshentë të cilët shprehen me gjuhë të dhunshme, përgjegjësia është e gjitha e shoqërisë. Ne jemi modeluar për adoleshentet qoftë në familje shkollë dhe rrjetet sociale, modelet që në duhet të përçojmë duhet të jenë modele pozitive”,-u shpreh Kanaj.
Fatjoni u vra në mes të ditës me diell në një sherr adoleshentësh të armatosur me thika e doreza hekuri, çdokush që e pa atë skenë nuk bëri asgjë për ta parandaluar apo shuar konfliktin që përfundoi në tragjedi.
“Ky është problemi më i madh, sepse ajo që ne mendojmë që derisa ajo gjë nuk më prek mua, çështja është unë si pjesëtar i shoqërisë mund të hyj për të parandaluar.”
Të pyetur nga News 24 qytetarët shprehën mendime të ndryshme për përgjegjësinë që ka familja, shkolla por edhe rrjetet sociale tek të rinjtë.
“Duhet të fillojë nga familja, duhet t’i kontrollojnë të rinjtë me internet. Aty ke lloj lloj lojrash, ja rezultati, pastaj përgjegjësia është edhe në shkollë, ku e ke psikologun, ku e ke rojen e shkollës. Nëse e ke rojën e shkollës për çfarë e ke këtë roje shkolle? Shumë indiferentë janë shqiptarët, si ka mundësi në mes të ditës. Si nuk reagoi njeri ku i shikon ata fëmijë grup ishin”,- tha një qytetare për News 24.
“Shkollat duhet të kenë roje sigurie e të jetë funksional, bashkia të marrë përgjegjësinë si dhe drejtoresha e shkollës duhet të marrë përgjegjësi të plotë për ngjarjen. Thikat i kanë pasur me vete ata në shkollë, roja dhe drejtoresha nuk i kanë organizuar mirë punët, ata duhet të kontrolloheshin pasi kishin thika me vete”,- u shpreh një qytetar në Tiranë.
“Kjo tregon një gjende shpirtërore të dobët tek adoleshentët” , tha një tjetër qytetar.
“Rrjetet sociale po ndikojnë shumë keq tek fëmijët, prindërit e kanë shumë të vështirë të merren me fëmijët, është dhe faji i prindërve.”
Vrasja e Fatjonit nuk është rast i izoluar, mbrëmjen e 17 prillit 20-vjeçari, Stiven Toshkësi u qëllua me thikë për vdekje nga një 18 vjeçar. Shkak u bë ngacmimi i një vajze në rrjetin social Instagram.
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al