
18:30 30/06/2023
Struktura të dyshimta në rrugën që lidh Minskun me Kievin
Njësia famëkeqe e mercenarëve privatë Wagner mund të jetë duke ngritur kampe në Bjellorusi.
Dyshimet i hedh media investigative ruse online “Vjorstke” që ka identifikuar një zonë mes pyjeve rreth 100 kilometra në juglindje të Minskut, si vendin ku po ngrihet një kamp për mercenarët e këtij grupi.
Ndërtimin e një kompleksi me 300 struktura në formë tendash pranë qytezës Asipoviçi e ka konstatuar edhe media britanike BBC, që e ka analizuar pamjet satelitore në kohë të ndryshme.
Kjo foto satelitore është fiksuar në 15 Qershor, ndërsa kjo e dyta këtë të premte. Dallohet qartë shtimi i strukturave brenda 2 javëve, por media britanike nuk konfirmon nëse ato janë për pritjen e mercenarëve të Wagnerit.
Pas rebelimit të së shtunës, shefi i Wagner, Jevgeni Prigozhin u shpërngul në Bjellorusi si pjesë e marrëveshjes me autoritetet moskovite për t’i dhënë asaj fund pa gjakderdhje.
Lëvizjet ngrenë dyshime se pas rebelimit të Wagner mund të ketë qëllime të tjera, që më e pakta mund t’i hapin Ukrainës një front të ri lufte në veri, për të cilin nuk mban përgjegjësi më as Rusia as Bjellorusia.
Kampi ndodhet pikërisht në rrugën që lidh Minskun me Kievin.
Tv Klan