WSJ: SHBA-ja ua ka refuzuar hyrjen disa afganëve të strehuar në Kosovë

Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur të njoftojë disa prej afganëve, që për muaj të tërë janë strehuar në një bazë ushtarake në Kosovë, se nuk do të lejohen që të hyjnë në SHBA, raportoi The Wall Street Journal.

Në Kosovë nuk ka konfirmim se afganët e strehuar në kampin ushtarak Bondsteel dhe në një kamp afër, nuk do të lejohen që të zhvendosen në Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja dërgoi afganët – shumica e të cilëve të shoqëruar me familje – në bazën ushtarake Bondsteel në Kosovë, pasi ata duhet të kalonin një proces të verifikimit pas evakuimit nga Kabuli vitin e kaluar. Personat që kanë shtetësi amerikane janë të lirë të largohen nëse duan, por shumica e tyre kanë zgjedhur që të qëndrojnë me familjen.

Afër 70 afganë, përfshirë edhe familjarët e tyre, vazhdojnë të jenë në kampin Bondsteel. Në përgjithësi, afër 22 afganë ende janë duke kaluar nëpër procesin e verifikimit, prej të cilëve 16 kanë marrë njoftim gjatë kësaj jave se aplikacionet e tyre për të hyrë në SHBA janë refuzuar, thanë zyrtarët dhe afganët e strehuar, raportoi kjo media amerikane, ndërkaq për gjashtë raste të tjera ende nuk është marrë vendim.

Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi për t’ua refuzuar hyrjen në shtet erdhi për shkak të zbulimit të disa informacioneve diskualifikuese që u gjetën për afganët që janë strehuar në Bondsteel. Zyrtarët nuk dhanë më shumë detaje.

Megjithatë, informacione të tilla mund të përfshijnë lidhjet në të kaluarën me talibanët apo grupet e tjera që nga Uashingtoni cilësohen si grupe terroriste apo për shkak të kaluarës kriminale në Afganistan, kanë thënë më herët zyrtarët amerikanë.

The Wall Street Journal raporton se ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me afganët që gjenden në Kosovë, apo nëse ndonjë shtet tjetër është pajtuar që t’i pranojë ata, pasi marrëveshja midis SHBA-së dhe Kosovës për strehimin e përkohshëm të afganëve, skadon gjatë kësaj vere.

“Diçka që mund të jetë shqetësuese për SHBA-në mund të mos jetë për ndonjë shtet tjetër”, tha një zyrtar amerikan teksa foli për mundësinë që ndonjë shtet tjetër mund të pranojë afganët.

Kosova dhe SHBA-ja kanë një marrëveshje për strehimin e afganëve për një periudhë njëvjeçare. Sipas një zyrtari të Departamentit amerikan të Shtetit, asnjë nga afganët që potencialisht mund të mos kalojë procesin e verifikimit, nuk do të mbetet në Kosovë.

“Ata do të jenë në Kosovë për vetëm 365 ditë dhe jo më gjatë se aq. Në rast se duhet më shumë kohë, ne do të gjejmë një vend tjetër për ta, e që duhet të jetë i pranueshëm për të gjitha palët në rast se ata ende nuk mund të shkojnë në SHBA. Marrëveshja që kemi me Kosovën thotë se ata nuk do të rrinë në Kosovë”, tha zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë një bisede me disa gazetarë të Kosovës në mars të këtij viti.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, një burim qeveritar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se në kampin Liya brenda bazës ushtarake amerikane Bondsteel, që gjendet në afërsi të qytetit të Ferizajt janë duke qëndruar rreth 200 afganë.

Mbi 1,300 shtetas afganë kanë gjetur strehim në Kosovë, pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021. Me të arritur në Kosovë, ata janë strehuar në Bondsteel dhe në një dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka.

Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra. Shumica e afganëve janë larguar nga Kosova, numri më i madh i të cilëve janë vendosur në SHBA.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.