Yshti “Djallin” në 2005-ën, Dudek: Pashë frikë te kuqezinjtë e Milanit





Ndonjëherë, Jerzi Dudek dhe Andrij Shevçenko takohen. Ukrainasi, edhe në vite distancë, nuk e kupton ende se si e humbi finalen e 2005-ës kur gaboi një penallti përballë portierit polak që kërcente pa fund për të hutuar rivalët. Tashmë 48-vjeçari Dudek zbulon se ishte Xhemi Karrager që i këshilloi të “sajonte” diçka në lotarinë e 11- metërshave.

Dudek

“Sheva ende nuk e beson dhe më kërkon shpjegime. Besoj se kështu do të jetë edhe pas 20 apo 30 viteve. Përpara penalltive, Karrager më këshilloi të shpikja diçka. Pas një çasti heshtjeje më tha të sillesha si Grobelari kundër Romës. Ashtu bëra, nisa të hidhesha sa andejkëtej sa herë rivalët niseshin nga mesi i fushës për të ardhur në zonën time.

30 metra që dukeshin pa fund. Mendoja për gjithçka, por njëkohësisht dalloja frikë në sytë e milanistëve. Ishte një stërmundim i madh, por duhet të fitonim. Ia kisha thënë edhe Tomasonit, ishshoku im te Fejnordi, përpara se të niste ndeshja”, ka zbuluar ishgardiani polak. Një tjetër temë e intervistës ishte “festa e Milanit” në pushimin e finales së Stambollit. Akuza për shampanjë dhe fanella ku shkruhej “Kampionë”. Edhe këtu, Dudek ofron versionin e tij të ngjarjeve, duke shpjeguar:

“Sigurisht që nuk jam i bindur që festuan, por rëndësi ka ajo që ndodhi dhe Liverpuli fitoi një nga finalet më të jashtëzakonshme të Champions-it me një përmbysje që mbetet e papërsëritshme. Merita pati skuadra, por edhe Rafa Benitezi.

U tregua një psikolog i aftë dhe na nxori në fushë 2-3 minuta përpara Milanit. Mendonim vërtet se mund t’ia dilnim, por mos më pyesni se si ia prita Shevës atë goditje në minutën e 117-të. Ishte thjesht instinkt i pastër, por Milani u hakmor dy vite më pas. Futbolli kështu e ka, çfarë të shpjegoj unë?

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *