Zbardhet debati në Kryesinë e PD/ “Aqif Rakipi kishte dy vite që kërkonte të më takonte”- Basha tregon prapaskenat: S’pranuam kompromis me bandat! Kadilli: Jep dorëheqjen e parevokueshme!






MARIGLEN KUME/ Mbledhja e Kryesisë dhe më pas e Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, që zgjati rreth 5 orë, dje u shoqërua me debate të shumta mes kreut të PD-së dhe kritikëve, por edhe mes anëtarëve. Kryedemokrati Basha ka sfiduar anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar që të ndajnë vetëm një qëndrim dhe se ai do të jepte dorëheqjen e menjëhershme.

Kreu i PD-së tha se anëtarët e Kryesisë dhe KK duhet të ndanin nëse zgjedhjet ishin të ndershme apo të vjedhura. Nëse demokratët do të vendosin se janë të ndershme, tha kreu i PD-së në kryesi dhe KK, ai është i gatshëm të japë dorëheqjen menjëherë. Por megjithatë, ndonëse të gjithë ishin dakord se zgjedhjet u blenë, sërish kishte kritikë për veprimet politike të kreut të opozitës.

Fatbardh Kadilli, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD-së, u shpreh se kryedemokrati ka dështuar të sjellë fitoren për PD-në, ndaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen e parevokueshme. Por nuk ka gjetur në masë mbështetjen e anëtarëve të tjerë të Kryesisë, që sipas tyre, problemi ka qenë te fenomeni i blerjes së votës.

Basha, në fjalën e hapjes: Regjimi Rama-Doshi janë vjedhja, krimi dhe antivlerat; ne jemi të gjithë kundër tyre, që Shqipëria të fitojë. Regjimi Rama-Doshi ka zgjedhur një sistem qe i përmbys vlerat, që mjetet e së keqes i konsideron më të vlefshme se mjetet e së mirës. Që legjitimon përdorimin e krimit dhe që nuk lë shteg tjetër veçse futjen e vendit në një spirale vicioze, ku bandave u duhet përgjigjur me banda, vjedhjes me vjedhje, antivlerave me antivlera. Por a është ky misioni ynë?

A është kjo ajo që në duam për Partinë Demokratike? Ajo që ne duam për të ardhmen e këtij vendi? Përgjigja ime është “Jo”. Jo dhe prapë jo! Kjo nuk mund të jetë alternativa jonë për Shqipërinë. Prandaj, nuk do të ndalemi asnjë çast derisa të çmontojmë këtë regjim dhe vlerat që i ndajmë me shumicën dërrmuese të shqiptarëve të triumfojnë. Jam i bindur në drejtësinë e betejës sonë.

Fatbardh Kadilli: Je humbës i përsëritur prej defekteve personale. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd. Fushatën e bërë i vetëm. Nuk mbështete asnjë njeri. Janë bërë shumë gabime në fushatë. Problemet në zgjedhje nuk duhet të justifikojnë humbjen. Për një pjesë të problemeve je vetë përgjegjës. Për një pjesë tjetër, ke qene i pazoti t’i ndalosh. Lufta për votën bëhet brenda sistemit. Kjo luftë do të vazhdojë sa herë të ketë zgjedhje.

Lulzim Basha: Në PD ka vend për të gjithë, por ne s’mund të kemi vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve. Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin.

Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizmit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë. Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalcifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas së cilave hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore.

Fatbardh Kadilli: Nuk je i pazëvendësueshëm. PD ka shumë njerëz të mirë. Jep dorëheqjen e parevokueshme. Në luftën për votën ke pasur më shumë sukses brenda sistemit se sa jashtë sistemit. Përvojat: 2015-ta më mirë se 2021-shi, dhe këto dukshëm më mirë se 2017-ta, apo dhe më keq, nga 2019-ta. Nuk je aspak i nevojshëm për luftën institucionale për votën. Kemi ekipin më të mirë dhe ekspertizë të shkëlqyer. Ata që na dhanë fitoren tënde në 2011-ën.

Luftën politike e bëjmë me një koncept te ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë munguar. Humbja është e jotja, përgjegjësia jotja. Të kemi mbështetur duke sakrifikuar identitetin tonë dhe profilin politik; karrierën dhe çdo gjë. E ndërtove opozitën me kauza rastësore dhe ishe i destinuar të dilje humbës. Braktise shume kauza duke korruptuar besimin e mbështetjes.

Nuk ndërtove raport të qartë dhe besimi me aleatët strategjikë; mbete peng i lobimeve private dhe nuk pate asnjëherë një qasjes solide dhe strategjike. Mos u fshih pas mbështetjes që kërkon lart e poshtë në parti. Edhe Berisha kishte mbështetje absolute në parti, por kishte realizmin të ikte. Ti nuk mund të ndërtosh më asgjë të re. Në qoftë se unë jam bartës i një projekti të ri, ti je kujtesa e projektit të shteruar dhe humbjes.

Jemin Gjana: Jam më i vjetri se ju në këtë sallë dhe i di mirë historitë e humbjes dhe të fitores. Kam qenë pjesë në ’99-ën, kur për shkak se na ndryshuan kodin në momentet e fundit, na fituan zgjedhjet në 2001-shin. Ndërkohë, ne bëmë betejë 4-vjeçare për të rregulluar kodin. Ishin ato ndryshime që na dhanë fitoren, nuk qe as fushata elektorale, as KOPI dhe as na erdhën më shumë demokratë. Ndërkohë, e njëjta gjë ndodhi edhe këto zgjedhje. Ishin ndryshimet e njëanshme. Ndërsa ne në këto zgjedhje pësuam rritje dhe kemi pasur shumë vota.

Fatbardh Kadilli: Nuk është e vërtetë që kemi pasur kaq shumë, sepse kemi pasur edhe më shumë.

Jemin Gjana: Sigurisht që kemi pasur, sepse duhet të kesh parasysh edhe 400 mijë të larguar nga Shqipëria që të them unë pa frikë që minimalisht 100 mijë ishin të djathtë.

Edmond Spaho: E kam pyetur veten se çfarë mund të bënim më mirë në këto zgjedhje. Dhe kam dalë në konkluzionin se asgjë s’mund të bënim më mirë. Janë 10 mandate të cilat PS i ka marrë me ndihmën e bandave kriminale, me Aqif Rakipin e Tom Doshin.

Fatbardh Kadilli: Pra, kemi ndërmarrë vendime të gabuara që nga djegia e mandateve.

Edmond Spaho: Vendimet që kemi marrë në çdo hap kanë qenë në unison, ndaj nuk duhet të fajësojmë vetëm një person.

Lulzim Basha: Ne mund të kishim bërë diçka. Të pranonim të bënim kompromis me bandat. Por sigurisht për këtë mbaj përgjegjësi personale. Më ka ndenjur Aqif Rakipi për dy vite që priste të takohej me mua dhe nuk pranova. Dhe sërish po të kthehesha, këtë do të bëja.

VIJON…
DEBATIN E PLOTE MUND TA GJENI NE VERSIONIN PRINT TE GAZETES PANORAMA

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *