Zbardhet Vendimi i Gjykatës së Tiranës kundër FSHF: Nuk ka zgjedhje në 2 Mars! Ja pse gjykata shqiptare është kompetente dhe jo ajo e huaj








Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Tiranës që ka pezulluar zgjedhjet për Federatën Shqiptare të Futbollit.

v8pLR2TO

Në vendimin e saj, gjykata ka pranuar kërkesën për pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.01.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Gjithashtu, Gjykata vendos që të pezullojë efektet juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Njëkohësisht është pezulluar edhe veprimtaria e Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizmin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Gjykata i mbyll “gojën” FSHF për ankimim në KAS

Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës shprehet se ajo ka të gjithë të drejtat që të shprehet për një çështje të tillë. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mban dhe përditëson dhe Regjistrin e OJF-ve në Republikën e Shqipërisë.
“Në mbështetje të nenit 36 të K.Pr.Civile, sipas të cilit: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.

Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të tjera. Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga gjykata. Është e pavlefshme çdo marrëveshje që lidhet në kundërshtim me këtë dispozitë”, çështja në shqyrtim hyn në juridiksionin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Në vendimin e saj, Gjykata çmon se sipas nenit 37: “Juridiksioni i gjykatave shqiptare nuk mund t’i kalohet me marrëveshje një juridiksioni të huaj, përveç kur gjykimi ka lidhje me një detyrim ndërmjet të huajve ose ndërmjet një të huaji e një shtetasi shqiptar, ose personi juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, si dhe kur këto përjashtime janë parashikuar në marrëveshje ndërkombëtare të ratiflkuara nga Republika e Shqipërisë”.

Në çështjen në shqyrtim nuk kemi të bëjmë: (1) as me një detyrim ndërmjet të huajve, (2) as me një detyrim ndërmjet një të huaji dhe një shtetasi shqiptar, (3) as me një person juridik pa banim ose qëndrim në Shqipëri, dhe (4) as me përjashtime të parashikuara në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, atëherë shqyrtimi i kërkesëpadive dhe kërkesave në lidhje me vendimet e FSHF-së, vazhdon të jetë në juridiksionin e gjykatave shqiptare”.

Gjykata vlerëson se vetë Statuti i FSHF-së, nuk përjashton juridiksionin e Gjykatave Shqiptare. “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kompetencë lëndore në shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave kundër vendimeve të FSHF-së, në bazë të përcaktimit të bërë në nenin 51, të Kodit Civil në të cilin përcaktohet: Çdo anëtar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatën kompetente vendimet e shoqatës që vijnë në kundërshtim me ligjin ose me statutin.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka kompetencë tokësore në shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave kundër vendimeve të FSHF-së, në bazë të përcaktimit të bërë në nenin 43 pg.l, të K.Pr.Civile, në të cilin përcaktohet: “Kur i padituri është person juridik, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij”. Për aq kohë sa selia e FSHF-së është në Tiranë, atëherë për shqyrtimin e kërkesëpadive dhe kërkesave në lidhje me vendimet e FSHF-së është kompetente Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në gjykatë.

Manipulimi me delegatët

Gjykata vlerëson se kërkesë padia për manipulimin e delegatëve nga ana e drejtuesve të FSHF për të favorizuar Armand Dukën qëndron. Sipas gjykatës, shpërndarja e 26 delegatëve të Shoqatave Rajonale të Futbollit, nuk është bazuar në të dhënat faktike të Regjistrit të OJF-ve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga krahasimi i informacionit zyrtar që është publikuar në faqen ueb të FSHF-së dhe të dhënave faktike të Regjistrit të OJF-ve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton që Komisioni i Verifikimit të FSHF-së, e ka përllogaritur shpërndarjen e 26 delegatëve që i takonin 8 Shoqatave Rajonale të Futbollit, jo në përputhje me numrin faktik të subjekteve juridike anëtare, por edhe subjekteve të paregjistruara.

Pikërisht ekzistenca e këtyre fakteve, çon automatikisht në konkluzionin që shpërndarja që Komisioni i Verifikimit i FSHF-së i ka bërë 26 delegatëve që i përkasin Shoqatave Rajonale të Futbollit nuk është sipas metodologjisë së vendosur në Statutin e FSHF-së, dhe jo në përputhje me të dhënat faktike të Regjistrit të OJF-ve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për rrjedhojë duhet të bëhen edhe njëherë përllogaritjet e shpërndarjes së 26 mandateve të delegatëve që i përkasin Shoqatave Rajonale të Futbollit.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.