Zbulohet një specie e re dinosauri pa dhëmbë në Brazil

Muzeu Kombëtar i Rio de Zhaneiros njoftoi të enjten zbulimin e një specie të re të dinosaurëve “shumë të rrallë”, një theropod “pa dhëmbë” që jetoi në Brazilin jugor 70 deri në 80 milionë vjet më parë.

I quajtur “Berthasaura leopoldinae”, ky dinosaur i vogël rreth 1 metër i gjatë dhe 80 centimetra i lartë u identifikua nga një grup fosilesh të gjetura gjatë gërmimeve në shtetin e Paranës, midis 2011 dhe 2014.

Theropodët janë dinosaurët dykëmbësh, zakonisht mishngrënës ose të gjithçkangrënës dhe të pajisur me dhëmbë.

Por ky dinosaur “kishte një sqep dhe ishte pa dhëmb, ndryshe nga të gjitha speciet e tjera të zbuluara në Brazil deri më tani”, tha Muzeu Kombëtar në një deklaratë.

Studimi, i kryer së bashku me Qendrën Paleontologjike të Contestado, në shtetin Santa Catarina (në jug), u botua të enjten në revistën shkencore Nature.

Paleontologu Alexander Kellner, drejtor i Muzeut Kombëtar, vuri në dukje se fosilet ishin veçanërisht të ruajtura mirë.

“Ne kemi kafkë, nofull, shtyllë kurrizore, brezat e legenit dhe gjoksit, si dhe mbetje të gjymtyrëve të përparme dhe të pasme, gjë që e bën ‘Bertha’ një nga dinosaurët më të plotë të Kretakut të zbuluar ndonjëherë në Brazil”, shpjegoi ai në një konferencë për shtyp.

Sipas paleontologëve, fakti që kjo specie nuk ka një dhëmb është “një surprizë e vërtetë” e cila ngre shumë pikëpyetje për dietën e tij.

“Ndoshta ai hëngri ndryshe nga dinosaurët e tjerë teropodë, por vetëm sepse nuk ka një dhëmb, kjo nuk do të thotë se ai nuk mund të hante mish,” tha Geovane Alves de Souza, një nga autorët e studimit.

Emri “Berthasaura leopoldinae” u zgjodh për nder të Bertha Luz, shkencëtare dhe studiuese braziliane në Muzeun Kombëtar, dhe perandoreshës Maria Leopoldina, gruaja e perandorit Pedro I të Brazilit dhe mbrojtëse e studimeve të shkencave natyrore.

Muzeu Kombëtar, muzeu më i madh i historisë natyrore në Amerikën Latine, u shkatërrua nga një zjarr i tmerrshëm në shtator 2018 dhe koleksionet e paçmuara u zhytën në tym, duke përfshirë thesare paleontologjike.

Puna e rindërtimit filloi javën e kaluar dhe pritet të përfundojë në vitin 2026.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.