Zëri i Amerikës: Një vit më pas, OBSH-ja ende në hall për menaxhimin e pandemisë

Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e deklaroi koronavirusin një pandemi, një vit më parë, ajo e bëri këtë pas disa javë rezistence për ta përdorur këtë vlerësim dhe pohoi se virusi shumë infektiv, ende mund të ndalet.

Një vit më vonë, kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara ende po lufton për të qëndruar në hap me zhvillimet shkencore rreth COVID-19, për të bindur shtetet që të braktisin tendencat e tyre nacionaliste dhe të ndihmojnë në dërgimin e vaksinave atje ku nevojiten më shumë.

Agjencia bëri disa gabime të kushtueshme përgjatë rrugës: ajo këshilloi njerëzit të mos mbanin maska për muaj të tërë dhe pohoi se COVID-19 nuk përhapej gjerësisht nëpërmjet ajrit. Ajo gjithashtu nuk pranoi të qortonte publikisht vendet – veçanërisht Kinën – për gabimet për të cilat zyrtarë të lartë të OBSH-së ankoheshin privatisht.

Kjo krijoi disa politika të ngatërruara që sfiduan besueshmërinë e OBSH-së dhe e vendosën atë midis dy fuqive botërore, duke nxitur kritika të zhurmshme të administratës së ish presidentit Donald Trump, nga të cilat agjencia tek tani po e merr veten.

Mbështetja e presidentit, Joe Biden për OBSH-në, mund të sigurojë një hapësirë shumë të nevojshme që organizata të marrë frymë më lirshëm, por ajo përballet me një detyrë monumentale ndërsa përpiqet të projektojë një autoritet moral mes një përplasjeje universale për vaksinat, që po lë miliarda njerëz të pambrojtur.

“OBSH-ja mbeti pak mbrapa, duke qenë e kujdesshme më shumë sesa parandaluese”, tha Gian Luca Burci, një ish-këshilltar ligjor i OBSH-së. “Në kohë paniku, krize dhe kështu me radhë, mbase të jesh më i gatshëm për të rrezikuar, do të kishte qenë më mirë”.

OBSH-ja bëri paralajmërimin e parë të madh më 30 janar të vitit 2020, duke e cilësuar shpërthimin e koronavirusit, një emergjencë shëndetësore ndërkombëtare. Por shumë vende e injoruan ose e anashkaluan paralajmërimin.

Vetëm kur Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e deklaroi “pandemi” gjashtë javë më vonë, më 11 mars të vitit 2020, shumica e qeverive morën masa, thanë ekspertët. Por ishte tepër vonë dhe virusi kishte arritur në çdo kontinent përveç Antarktidës.

Një vit më vonë, OBSH-ja ende duket e lënduar. Një ekip i udhëhequr nga OBSH-ja që udhëtoi në Kinë në janar për të hetuar origjinën e COVID-19, u kritikua për dështimin që të hedh poshtë teorinë e Kinës se virusi mund të jetë përhapur përmes ushqimeve të ngrira e të ndotura të detit.

Vitin e kaluar OBSH-ja lavdëroi vazhdimisht Kinën për përgjigjen e saj të shpejtë dhe transparente, edhe pse regjistrimet e takimeve private të siguruara nga agjencia e lajmeve, Associated Press, treguan se zyrtarët e lartë ishin të irrituar nga mungesa e bashkëpunimit të Kinës.

“Të gjithë po pyesnin pse OBSH-ja po e vlerësonte kaq shumë Kinë në muajin janar të vitit 2020”, tha zoti Burci, duke shtuar se lavdërimet u kthyen “në ankth për OBSH-në për një kohë të gjatë”.

Disa ekspertë thonë se gabimet e OBSH-së u pasuan nga një çmim i lartë dhe ajo edhe më tej mbetet shumë e varur nga shkenca “hekurt” në vend që të marrë përsipër rreziqe të llogaritura për t’i mbajtur njerëzit më të sigurt – qoftë kur bëhet fjalë për mbajtjen e maskave apo se COVID-19 përhapet shpesh edhe përmes ajrit.

“Pa dyshim, dështimi i OBSH-së për të miratuar maskat më herët, kushtoi jetë”, tha Dr. Trish Greenhalgh, profesoreshë e shkencave shëndetësore në Universitetin e Oksfordit, që është pjesë e disa komiteteve ekspertësh të OBSH-së. Deri në qershor, OBSH-ja nuk i këshilloi njerëzit të vinin rregullisht maska, shumë kohë pasi agjencitë e tjera shëndetësore dhe vendet e shumta e kishin bërë këtë.

Zonja Greenhalgh tha se ishte më pak e interesuar të kërkonte nga OBSH-ja shlyerjen e gabimeve të së kaluarës, sesa të rishikonte politikat e saj përpara. Në tetor, ajo i shkroi kreut të një komiteti kryesor të OBSH-së për kontrollin e infeksionit, duke ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e ekspertizës midis disa anëtarëve. Kurrë nuk mori përgjigje.

“Ky skandal nuk i takon vetëm të kaluarës. Është i pranishëm dhe përshkallëzohet në të ardhmen”, tha zonja Greenhalgh.

Raymond Tellier, një profesor në Universitetin McGill të Kanadasë, i cili po specializohet rreth koronavirusit, tha se ngurrimi i vazhdueshëm i OBSH-së për të pranuar se sa shpesh përhapet COVID-19 nëpërmjet ajrit, mund të jetë më i rrezikshëm me shfaqjen e varianteve të reja të virusit të identifikuara për herë të parë në Britani dhe Afrikën e Jugut, që janë edhe më ngjitës.

Me disa vaksina tashmë të licencuara, OBSH-ja tani po punon për të siguruar që njerëzit në vendet më të varfra të botës marrin doza të saj përmes nismës COVAX.

Por COVAX-i ka vetëm një pjesë të 2 miliardë vaksinave që shpreson të shpërndajë deri në fund të vitit. Disa vende që kanë pritur me muaj po e humbin durimin, duke vendosur të nënshkruajnë marrëveshjet e tyre private për qasje më të shpejtë në vaksina.

Shefi i OBSH-së, Tedros, u ka bërë thirrje vendeve të veprojnë në “solidaritet”, duke paralajmëruar se bota është në prag të një “dështimi moral katastrofik” nëse vaksinat nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë. Megjithëse ai u ka kërkuar vendeve të pasura të ndajnë dozat e tyre menjëherë me vendet në zhvillim dhe të mos bëjnë marrëveshje të reja që do të rrezikonin furnizimin me vaksina për vendet e varfra, askush nuk e ka marrë përsipër si detyrim.

“OBSH-ja po përpiqet të udhëheqë me autoritet moral, por duke përsëritur ‘solidaritetin’ pa pushim ndërsa po injorohet nga vendet që veprojnë në interesin e tyre, tregon se ata nuk po e njohin realitetin”, tha Amanda Glassman, nënkryetare ekzekutive e Qendrës për Zhvillim Global. “Është koha për t’i thënë gjërat ashtu siç janë”.

Irwin Redlener, nga Universiteti Columbia, tha se OBSH-ja duhet të jetë më agresive në udhëzimin e vendeve se çfarë të bëjnë, duke pasur parasysh mënyrën jashtëzakonisht të pabarabartë të shpërndarjes së vaksinave kundër COVID-19.

“OBSH-ja nuk mund të urdhërojë vendet, por mund të jap udhëzime shumë të qartë dhe të prera, që e bëjnë më të vështirë për vendet që të mos i ndjekin”, Irwin Redlener.
Zyrtarët e lartë të OBSH-së kanë thënë shumë herë se nuk është mënyrë e veprimit të agjencisë që të kritikojë shtetet.

Në një konferencë me gazetarë këtë muaj, këshilltari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylëard tha thjesht: “ne nuk mund t’u themi vendeve veç e veç se çfarë të bëjnë”. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *