
Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës javën e shkuar në veri të Mitrovicës, ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti. Policia e Kosovës u sulmua 5 herë, sulme që përfshinin vendosjen e iriqëve metalikë në rrugë, gjuajte me gurë, madje janë përdorur edhe AK 47 dhe granatë dore.
Kurti ka thënë se këto sulme ishin terroriste dhe se për qëllim kishin vrasje.
“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale
U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të këtilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”, ka thënë Kurti.
Sipas Telegrafi, kryeministri ka thënë po ashtu se është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës ajo që i bënë analizat dhe studimet e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë.
“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nga MPB dhe Policia e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti tutje u pyet nga gazetarët edhe për deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq lidhur me ardhjen e një aeroplani i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë.
Kurti tha se deklarata që vijnë nga Beogradi nuk bënë të merren si fakte.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk bënë t’i merrni si fakte. E kemi shtuar buxhetin për mbrojtjen e Kosovës, por për të gjitha hapat e mëtutjeshme që ne ndërmarrim informacionet duhet t’i merrni nga Ministria e Mbrojtjes, kurrsesi nga Beogradi”, tha Kurti.
E për sulmet ndaj Policisë ka folur edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ai ka thënë se Serbia nuk ka qëllim të invadojë në mënyrë klasike në Kosovë, por sipas tij destabilizimi i vendit tonë patjetër se është qëllim.
“Qëllimi i Serbisë nuk është që të ndërmerr ndonjë lloj sulmi masiv apo invadimi në Kosovë, por të destabilizojë edhe duke përdorur elementet e brendshme ekstremiste”, ka thënë ai.
“Në sulmin ndaj policisë në veri ka elemente të terrorizmit. Ai sulm nuk ka rrezikuar vetëm policinë doganierët apo inspektorët sanitarë, por edhet qytetarët që kanë qasje në atë rrugë. Pra vendosje e iriqëve apo përdorja e granatës janë elemente të terrorizmit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ngjarja sipas Ibishit mund të konsiderohet edhe incident ndërkufitar, pasi nga territori i Serbisë në Kosovë janë hedhur fishekzjarrë.
Sipas ekspertit të sigurisë ministri Brendshëm nuk ka të drejtë të përzihet në autorizimet e policisë, nëse duhet të shkarkohen pjesëtarët serb të Policisë së Kosovës që janë në zinxhirin komandues.
“Inspektorati policor bënë propozime për shkarkimin e zyrtarëve të dyshuar policor. Ministri nuk mund të ndërhyjë në autorizimet e këtij institucioni, pasi ligji ia ka përcaktuar një gjë të tillë”, deklaroi Ibishi.
Ndryshe, ndaj këtyre sulmeve kanë reaguar krerët e shtetit, liderë të partive politike në Kosovë, Ambasada amerikane, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. /
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al