Zgjatja e vetingut, ku ndahen PS-PD/ Balla: S’ka asnjë lloj ‘pazari’. Rushaj: S’kemi marrë propozim deri tani








KELMENT BAÇI/ Ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut kërkojnë konsensus politik, por një gjë e tillë ende nuk është diskutuar mes maxhorancës dhe opozitës

Balla Rushaj

Pas mbledhjes se Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se ekspertët e maxhorancës kanë nisur punën për amendamentin kushtetues për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit për përfundimin e vetingut. Teksa e konsideroi një çështje tepër të rëndësishme dhe teknike nga e cila politika duhet të rrijë larg, Balla garantoi që nuk ka asnjë lloj “pazari” politik për këtë çështje.

“Dua të sqaroj që ekspertët tanë janë duke punuar intensivisht dhe qoftë zonja Bushka apo kolegë të tjerë edhe me dy institucione ndërkombëtare që kanë këshilluar mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi për të konkluduar në amendamentin kushtetues për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit. Në kuptimin që të arrijmë që të kemi brenda një kohe të shkurtër këtë amendament gati dhe pastaj i cili të jetë gati për të filluar procedura parlamentare. Ju e dini që një amendament kushtetues kërkon një kohë minimalisht 45 ditë, por shkon edhe në 60 ditë dhe si i tillë, kjo do të kërkojë shumë punë. E konsideroj çështje tepër teknike, tek e cila politika duhet të rrijë larg, në kuptimin e rëndësisë që ka procesi i vetingut, i cili deri tani ka ecur tejet mirë. Do propozoja që askush prej nesh të mos e politizojë, ta mbajmë si çështje tejet teknike, si nevojë e vijueshmërisë së Reformës historike në Drejtësi. Dua t’u garantoj që nuk ka asnjë lloj ‘pazari’, sepse kjo është një çështje që e konsideroj të një rëndësie të veçantë, ku secili deputet duhet të marrë përgjegjësinë që i takon. Për çështjet e tjera do të vijojmë ta themi e ta rishprehim gatishmërinë tonë për të qenë në mënyrë vijuese të hapur për të diskutuar pa rezerva çdo çështje që mund të vijë nga opozita në Kuvend”, tha Balla përpara gazetarëve.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Alfred Rushaj, deklaroi pas mbledhjes se deri tani PD nuk ka marrë asnjë propozim për çështjen e vetingut, as nga PS, as nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ne nuk kemi marrë asnjë propozim nga askush deri tani për vetingun. Kjo është një çështje që nuk është diskutuar me asnjë partner dhe asnjë forum deri tani”, u shpreh Rushaj. I pyetur nga gazetarët se çfarë dëshiron PD nga dakordësia për shtyrjen e mandateve të organeve të vetingut dhe a është e gatshme ajo ta votojë sepse e kërkojnë partnerët, Rushaj u përgjigj se interesat e shqiptarëve do të vendosen mbi interesat e PS-apo Edi Ramës.

“Ne do të kemi një qëndrim atëherë kur të kemi një propozim konkret. Mbi atë do të flasim dhe padyshim do të jetë pjesë e një strategjie tonë më të madhe, por e rëndësishme për ne është që mbi të gjitha të vihen interesat e shqiptarëve dhe jo nevoja që ka Partia Socialiste apo Edi Rama. E para, ne nuk kemi asnjë kërkesë nga partnerët deri tani. Po e ripërsëris edhe një herë: nuk kemi marrë asnjë kërkesë nga askush deri tani. Unë jam i ngarkuar për këtë si pjesë e një procesi më të madh, pra ne jemi të gatshëm të diskutojmë për çështje shumë më të rëndësishme, siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshime të tjera që kanë të bëjnë me interesin e shqiptarëve, por jo për çështje që i takojnë Edi Ramës”, theksoi Rushaj. Kur u pyet nëse kërkesat e PD-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor apo Reformës Territoriale do të jenë të kushtëzuara me vetingun apo do të trajtohen si çështje të ndara, kreu i Grupit të PD-së tha se: “Strategjitë se si do të negociojmë se çfarë do të bëjmë do të paraqiten kur të kemi diçka konkrete”.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *