Zgjatja e vetingut, PD vendos sot 30 minuta para mbledhjes/ Basha: Para vendimit për ndryshimin e Kushtetuetës, të analizohet puna e KPK








MARIGLEN KUME/ Partia Demokratike do të vendosë sot 30 minuta para mbledhjes se cili do të jetë qëndrimi i selisë blu në lidhje me nismën e Partisë Socialiste për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik.

basha1

Gazeta “Panorama” mësoi se lidershipi i PD-së, së bashku me deputetët e Komisionit të Ligjeve, do të mblidhen sot në orën 13:30 për të diskutuar se çfarë qëndrimi do të mbajnë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve në Kuvend, që është lajmëruar në orën 14:00, me rend dite: shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin në Kushtetutë për zgjatjen e mandatit të dy organeve të mësipërme. Më herët Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se nisma e PS-së për zgjatjen e mandatit të KPKsë dhe Komisionerit Publik që përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm nuk është prioritet, pasi sipas kreut të opozitës, procesi i vetingut në drejtësi nuk ndërpritet.

“Besoj se ajo çështje është shteruar, e para punës nuk ka vakum kushtetues, domethënë që vetingu vazhdon. Kushtetua e ka parashikuar që vetingu vazhdon deri në fund. Ajo që kërkohet është zgjatja e mandatit të 14 zyrtarëve që merren me vetingun. Para se ky vendim të merret, duhet të diskutohet se çfarë kanë bërë këta njerëz, a ka ecur procesi, a kanë qenë nën presione? Duhet të bëjmë një analizë të plotë se cila është më e mira e qytetarëve për të bërë drejtësi”, tha Basha në një konferencë për mediat pak javë më parë.

PARALAJMËRIMI

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, në një postim në “Facebook” kërkoi nga lidershipi i PD-së që para se të shqyrtohej zgjatja e mandatit të vetingut në drejtësi, të shqyrtoheshin dhe miratoheshin ndryshimet e tjera në Kushtetutë lidhur me Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore. “Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive. Demokracia lokale po asfiksohet nga reforma e dështuar e 2014-ës, e bërë keq me qëllim për të fituar zgjedhjet në tavolinë. Pjesëmarrja në zgjedhjet bashkiake të 2019-ës ku opozita mund të fitonte gjysmën e bashkive, do të rikuperonte mospjesëmarrjen e opozitës në Reformën Territoriale.

Por ky shans u humb kur u vendos të mos hyhej në zgjedhje. Gjithashtu, duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje, siç ndodhi më 25 prill 2021. Ky është rreziku më i madh që kanë zgjedhjet, shumë më i madh se bandat, sepse ndërhyrja e një shteti të politizuar në zgjedhje është sistematike, masive dhe kapilare. Më pas mund të ndreqim dështimet e “suksesshme” të Reformës në Drejtësi. Sigurisht, dështimet nuk mund të lihen pa ndrequr, sepse vuajnë shqiptarët që nuk po marrin më asnjë lloj drejtësie. Por vota e lirë dhe e drejtë qëndron më lart se vetingu, sepse aty qëndron sovraniteti i popullit”, shkroi Bylykbashi.

PROPOZIMET E PD

Përpos propozimit të PS-së për ndryshimin e Kushtetutës, në Kuvendin e Shqipërisë qëndron edhe një draft i Partisë Demokratike që parashikon po ashtu ndryshime në Kushtetutë. Drafti i PD-së që mban firmën e 38 deputetëve parashikon ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë për të sanksionuar vetingun e politikanëve. Një nismë kjo e propozuar fillimisht në 2018-ën nga PD, por që në atë kohë u rrëzua pas kundërshtive edhe të Komisionit të Venecias. Drafti që ka depozituar tashmë PD në Kuvend ka reflektuar edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Ndërsa dy propozimet e tjera lidhen me Reformën Territorial dhe Reformën Zgjedhore. PD kërkon që të zhbëhen ndryshimet e korrikut të vitit të kaluar në Kushtetutë, ku u hoqën koalicionet parazgjedhore. Ndërsa ndryshimet në Kushtetutë për Reformën Territoriale synojnë ndryshimin e hartës zgjedhore. Sipas opozitës, ndarja territoriale e 2014-ës nuk ka përmbushur objektivat, madje sipas tyre, është e dështuar.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *