Zgjedhjet e 25 prillit, ish-kreu i KQZ sqaron si bëhen përllogaritjet: Përfitojnë para vetëm ato parti që kalojnë pragun 1%. Çfarë ndodh me ato që garuan në koalicion








MARIGLEN KUME/ Shumica e partive që garuan në të njëjtën listë me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do mund të përfitojnë nga fondi që shpërndan KQZ-në në bazë të votave që kanë marrë në zgjedhjet parlamentare.

kristaq kume-kqz-financimi i partive

Ish-kryetari i KQZ-së Kristaq Kume në një intervistë për gazetën “Panorama” sqaron se si bëhet përllogaritjet. Teksa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në projektaktin e publikuar pak ditë më parë nga përllogaritja ka nxjerrë se një votë vlerësohet me 85 lekë për një parti, Kristaq Kume shpjegon se kush do të jenë përfituesit.

Si kriter i parë për të përfituar para nga buxheti i shtetit është që partia, e cila garon me siglën e saj duhet të marrë minimalisht 1% të votave të vlefshme në rang vendi. Ndërkohë, për partitë që garojnë në koalicion përllogaritja bëhet pak më e komplikuar. Fillimisht ligjvënësi ka përcaktuar që përllogaritja e fondit që duhet të marrë një forcë politike brenda një koalicioni sipas formulës që u aplikua në 25 prill bëhet, duke shumëzuar numrin mesatar të votave që duhet për një mandat deputeti brenda koalicionit me vlerën e një vote që është 85 lekë. Por, para se të bëhet kjo përllogaritje, partia në fjalë brenda koalicionit duhet të ketë marrë vota preferenciale jo më pak se 1% të votave të vlefshme në të gjithë vendin.

Në kushtet aktuale ku në zgjedhjet e 25 prillit i vetmi koalicion ishte PD-Aleanca për Ndryshim, ku në listën e PD-së kishte kandidat edhe të 5 partive të tjera aleate, përfituese është vetëm PDIU-ja. PDIUja në zgjedhjet e 25 prillit ka marrë vota preferenciale 19 mijë vota. Ndërkohë, shpërblimi për të do të jetë për tri mandate pra, për mbi 30 mijë vota. Ndërkohë, partitë e tjera nuk kanë plotësuar 1% dhe rrjedhimisht nuk bëhen pjesë e përllogaritjes sipas ekspertit të zgjedhjeve. Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, Kume i shikon në disfavor të partive politike të vogla. Sipas tij, Kodi çon drejt bipolarizimit partiak.

Z. Kume, në zgjedhjet e fundit pati disa risi. Një prej tyre ishte edhe formula e koalicioneve. Ndërkohë, formula e koalicionit ka pasuar risi edhe në mënyrën e përllogaritjes së fondeve për partitë që morën pjesë në zgjedhje. Si bëhet përllogaritja e fondit në rastet e koalicionit dhe kush përfiton?

Në Kodin Zgjedhor ligjvënësi është përpjekur që i japin përgjigje edhe në kushtet e situatave si ato të 25 prillit. Referuar çështjet të financimit nga fondet publike. Në ligj është fiksuar një zgjidhje për mënyrën e financimit që parashikohet të jetë edhe në zgjedhjet që do të vijnë. Ndërkohë, për zgjedhjet që sapo kanë përfunduar, në ligj ka një dispozitë kalimtare. Kjo, sepse siç është edhe parimi i gjithëpranuar dhe i përdorur deri sot për financimin e fushatave të partive politike, sipas të cilit referencë për të përfituar fonde nga buxheti një parti politike, janë marrë rezultatet e mëparshme. Ndërkohë, në dispozitën kalimtare duke pasur parasysh faktin se zgjedhjet e 2019 janë me ato probleme që i dimë, nuk i referohet fare, megjithëse janë edhe zgjedhje lokale. Por, i referohen zgjedhjeve lokale të 2015. Në të njëjtën kohë, edhe zgjedhjeve parlamentare të 2017, ndërkohë që duhet t’i referohej vetëm zgjedhjeve parlamentare. Por zgjedhjet e 2017, për shkak të marrëveshjes së 17 majit, u zhvilluan pa i dhënë mundësi partive të garonin sipas ligjit. Për pasojë, në zgjedhjet e 2017 nuk mund të shikohej se sa vota kanë marrë aleatët e PD-së. Në këto kushte, dispozita kalimtare ka thënë. Për të llogaritur se sa fond mund të përfitojnë partitë politike nga buxheti i shtetit, të merren në konsideratë rezultatet e 2015-ës dhe të 2017-së.

Po përllogaritja brenda koalicionit si bëhet?

Tani jemi në kushtet kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrën që të bëjë rishpërndarjen e fondeve referuar rezultateve të 2021 për ato parti politike që nuk kanë përfituar nga ndarja paraprake. Nga ndarja e parë, mënyra sesi do të ndahen këto fonde, ka në qendër të saj ka treguesin, numrin e votave të fituara nga partia politike që duhet të jetë më i madh se 1% i votave të vlefshme. Pra, për të përfituar fond duhet të jetë kaluar pragu zgjedhor që është 1%. Dhe nëse partia është parti që ka garuar më vete, detyrimi është i thjeshtë. Nëse ka marrë në rang vendi më shumë se 1% të votave, do të përfitonte pastaj para. Kurse nëse partia është pjesë e një koalicioni dhe ky është rasti edhe rezultatet konkrete, partia mund të përfitojë nga buxheti nëse votat që ajo ka marrë preferenciale, janë më shumë se 1%. Dhe llogaritja është bërë. Është një llogari e përafërt. S’mund të bëhet ndryshe për sa kohë që këto s’kanë qenë subjekte që kanë garuar me siglën e tyre.

Është rënë dakord për një zgjidhje të përafërt ku llogaritet numri i votave për një mandat që ka marrë subjekti përkatës që është PD-AN shumëzuar me numrin e mandateve që ka marrë partia përkatëse. Dhe ky i përcaktuar si i tillë, sepse siç dihet në listën e kandidatëve krahas emrit të kandidatit edhe siglën e partisë. Dhe rezultatet e prillit tregojnë se janë 4 parti që kanë garuar nën siglën e PD-së që kanë marrë një mandat deputeti. Dhe vota e nevojshme për një mandat i bie diku 11 mijë. Ndërkohë, 1% e votave në rang vendi janë mbi 15 mijë vota. Këto parti që kanë fituar një mandate si pjesë e një koalicioni, ndërkohë kanë fituar vota më pak sesa është kushti për të përfituar financim që është 1%. Ndaj, vendimi duhet të jetë që këto parti s’duhet të përfitojë nga buxheti i shtetit. Ky është kriteri që është përdorur.

A i penalizon partitë e vogla që garojnë në koalicione ky ligj?

E gjitha kjo po të shihet me kujdes, është zhvillim legjislativ që tenton që të krijojë kushte ligjore për zvogëlimin e numrit të subjekteve politike në hapësirën politike. Pra, shkon drejt polarizimit. Në zgjedhjet që vijnë, nëse do të mbetet ky Kod Zgjedhor siç është, nuk do të ndryshohet. Që do të thotë se neni 180 që është dispozita kalimtare, nuk ka fuqi vepruese, të gjitha partitë e vogla që garuan në siglën e një partie tjetër do ta kenë 0 mundësinë për të marrë buxhet nga shteti. Sepse Kodi Zgjedhor parashikon ndarjen e buxhetit përmes partive që fitojnë më shumë se 1% të votave në rang vendi. Partia X që ka pasur kandidat në një parti Y, as nuk llogaritet si e tillë në zgjedhjet e ardhshme.

Një parti garon nëse regjistrohet në KQZ dhe garon me siglën e saj. Zgjidhja që i ka dhënë Kodi Zgjedhor për 25 prillin është në vlerësimin tim një zgjedhje e sforcuar në të gjitha rastet. Jo vetëm në problemin e financimit, por në përgjithësi për garën. Kushtetuta e Republikës përcakton se të drejtën për të pasur lista kandidatësh e kanë partitë politike ose grupe qytetarësh. Termi koalicion është hequr në Kushtetutë. Si rezultat i situatës politike që prodhoi ky ndryshim kushtetues, në Kodin Zgjedhor u ndërtua një ai që u quajt koalicion, me të cilën nënkuptohej partitë jashtë institucionit bëjnë marrëveshje me njëra-tjetrën dhe bien dakord të garojnë jo më si parti, por si kandidat brenda listës së partisë kryesore. Këto duan të zvogëlojnë në maksimumin e mundshëm problemet që sollën zgjedhjet e 2017 dhe ndryshimet e bëra në mënyrën e garës në Kushtetutë. E gjitha kjo është bërë që përmes ligjit të komandohet procesi që të shkohet në bipolarizimin politik. Me dy ose tri parti politike.

Nëse do ketë Reformë Zgjedhore, do rekomandoni për ndryshimin e kësaj pike?

Për mua është e rëndësishme që të ndërtohen rregulla të tilla loje që të mos paragjykojë dhe të ndalojë që në tavolinë mundësitë për alternative të ndryshme politike. Legjislacioni duhet të jetë miqësor, pastaj është zgjedhësi ai i jep jetë një legjislacioni të tillë. Pra, pranon apo nuk pranon parti të reja. Shumë apo pak parti. Natyrisht, nëse do i referohemi financimeve, duhet të ndërtohet ligji që të moskeqpërdoret fondi. Pra, të mosregjistrohesh si parti dhe të përfitosh nga buxheti dhe të gjithë këtë ta bësh vetëm për përfitim. Pra, duhen mekanizma që të mos lejojnë këto gjë. Siç është pragu kombëtar. Është shumë e rëndësishme që të veprohet në këtë mënyrë në mënyrë që partia të dalë ballë përballë me zgjedhësit. Kishim në këtë proces parti të tilla që u formuan rishtazi dhe hynë në garë. Nuk arritën që të merrnin 1% dhe nuk përfituan asnjë lek.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *