Zgjedhjet e parakohshme në Armeni, kryeministri Pashinian shpall fitoren, opozita paralajmëron se nuk do i njohë

Kryeministri armen, Nikoll Pashinian, pretendon se ka fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Armenisë.

Rezultatet paraprake e nxorën fituese partinë e tij, por koalicioni kryesor i opozitës hodhi poshtë rezultatin me pretendimet se kishte mashtrime në zgjedhje.

Bazuar në rezultatin paraprak të zgjedhjeve që u mbajtën më 20 qershor, partia e Pashinianit “Kontrata Qytetare” fitoi 53.9 për qind të votave, ndërsa Aleanca e Armenisë e ish-presidentit, Robert Kocharian, mori 21 përqind.

“Populli i Armenisë i dha partisë sonë një mandat për të udhëhequr vendin dhe personalisht mua si kryeministër”, tha Pashinian në orët e para të 21 qershorit.

“Ne tashmë do të kemi një shumicë bindëse në parlament”, shtoi ai.

Ai ftoi mbështetësit e tij që të dalin në sheshin e Jerevanit.

Pak më vonë, aleanca e Kocharian tha se nuk do të njihte rezultatet, derisa të adresoheshin parregullsitë e pretenduara të procesit të votimit.

“Qindra të dhëna nga qendrat e votimit dëshmojnë për falsifikime të organizuara dhe të planifikuara”, tha blloku opozitar në një deklaratë.

Sondazhet e opinioneve para zgjedhjeve treguan se gara ishte e ngushtë midis partisë së Pashinianit dhe aleancës së sapo krijuar të Kocharian. Secila palë kishte rreth 24 për qind mbështetje të qytetarëve.

Qytetarë me të drejtë votë ishin 2.6 milionë ndërsa në zgjedhje morën pjesë 21 parti dhe katër koalicione.

Partive u duhet 7 për qind për të hyrë në parlament. Megjithatë, sipas ligjit në Armeni, nëse vetëm dy parti fitojnë ulëse, një parti e tretë mund të hyjë në parlament, pavarësisht kuotës.

Nëse mbesin këto rezultate paraprake atëherë partia e Pashinian do të ketë më shumë se 50 për qind të vendeve në parlament.

Zgjedhjet pasuan tensionet politike në këtë vend të nxitura nga humbja e forcave armene kundër Azerbajxhanit në luftën gjashtë javore të zhvilluar në vjeshtë të vitit 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Opozita organizoi protesta të vazhdueshme. Pashinianin ofroi dorëheqje për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Marrëveshja e brishtë e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë u ndërmjetësua nga Moska. Ajo riktheu sovranitetin e Azerbajxhanit mbi një pjesë të Nagorno Karabakut dhe rajoneve përreth që ishin kontrolluar nga forcat etnike armene që nga një luftë në fillim të viteve 1990.

Retorika e përdorur gjatë fushatës zgjedhore kishte ngritur shqetësimet për mundësinë e dhunës gjatë zgjedhjeve, sidomos nëse rezultati është i manipuluar ose i njëjti kundërshtohet nga ndonjëra palë.

Disa kandidatë dhe aktivistë të opozitës janë arrestuar gjatë fushatës nën akuzat për kanosje ose ryshfet.

Në prag të zgjedhjeve, presidenti, Armen Sarkisian, u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë paqësor, duke thënë se do të ishte e papranueshme që “të kalohen kufijt politik dhe moral dhe që situata të përshkallëzohet”.

Më vonë më 21 qershor vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të paraqesin një vlerësim të procesit zgjedhor.

“Zgjedhjet ishin në tërësi të zhvilluara në përputhje me ligjet”, tha kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Tigran Mukuchian.
/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *