Zgjedhjet/ Kurti nis fushatën: Fitores së shkurtit t’ia bashkëngjisim asaj të tetorit në çdo komunë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka hapur fushatën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit përmes një video-mesazhi. Me pamje nga fushatat e kaluara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u deklarua duke thënë se Kosova ka arritje të pamohueshme sa i përket institucioneve.

“Komuna është fillimi i çdo politike dhe është vendi ku qytetarët ndajnë së bashku të mirat që mund t’i sjellë një politike e ndershme, ashtu si edhe vendi ku ata organizohen për të zgjidhur problemet të vogla e të mëdha që na pengojnë të gjithëve ose ndonjërit nga ne”, shprehet Kurti në këtë video-mesazh. Kurti thotë se, “Më shumë e më parë se në cilindo nga vendet e tjera ballkanike, qytetari i Kosovës e dënon politikën kur ajo e dobëson vendin tonë”.

“Prandaj kam sigurinë se në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor, qytetarët e Kosovës, kudo, do të votojnë për projektin modernizues, të ndershëm e humanistë, të kandidatëve që mbështet Lëvizja Vetëvendosje e jo për politikat që kthejnë abuzimet me miliona euro dhe arrogancën e dhunën e pushtetarëve”, është shprehur Kurti. Kreu i VV-së përmendi edhe mos-shtyrjen e zgjedhjeve. “Zgjedhjet nuk u shtynë, përkundër rekomandimit të IKSHPK-së, mbi rrezikun nga pandemia, tash neve do të na duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe fitores së shkurtit, t’ia bashkëngjisim atë të tetorit komunë për komunë. Ndërkohë dhe tërë kohën, çdo kund dhe secili respektojmë masat, vaksinohemi dhe mbrojmë veten e njëri-tjetrin”, shprehet kryeministri Kurti.

“E dimë se zhvillimi e përparimi, shtimi i mirëqenies, luftimi i korrupsionit, janë të vështira. E dimë po ashtu se regresi, kthimi pas në situatën e pandëshkueshmerisë, është i lehtë sepse të korruptuarit ende janë aty, të rinj e të vjetër, edhe nëpër komuna, dhe janë gjithnjë të gatshëm për pushtet, përderisa ende nuk është reformuar sistemi i drejtësisë”, është shprehur Kurti, transmeton Klankosova.tv. I pari i Qeverisë së Kosovës tha se ndryshimet e bëra në qeverisje mundësojnë ndryshimet e nevojshme nëpër komuna, e sipas tij, kur qytetarët i ndryshojnë komunat për të mirë, ndryshimet e dëshiruara në vend përshpejtohen.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *