Zgjerohet ‘harta’/ Zyrtarët amerikanë: Disa vende europiane dhe në Lindjen e Mesme kanë rënë dakord për të strehuar afganët

Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë se disa vende evropiane dhe në Lindjen e Mesme kanë rënë dakord të strehojnë përkohësisht njerëzit e evakuuar nga Kabuli. Lajmi iu bë i ditur të premten agjencisë Reuters nga zyrtarë amerikanë dhe vjen ndërsa baza e SHBA-së në Katar i ka arritur kapacitetet e saj pritëse.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen dëshpërimisht të evakuojnë me mijëra njerëz nga Afganistani, ndërsa janë shtuar njoftimet për hakmarrje nga ana e talibanëve kundër afganëve që punuan me forcat e udhëhequra nga SHBA. Kjo ka detyruar fuqitë e huaja të përshpejtojnë përpjekjet për evakuim.

Ndërkohë zyrtarët amerikanë bënë të ditur se për disa orë të premten nuk janë kryer fluturime nga Kabuli në Katar, për shkak të tejmbushjes së bazës ajrore Al Udeid, ku ndodhet Komanda Qendrore Amerikane, e cila tashmë strehon 8,000 të evakuuar afganë.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se tashmë është urdhëruar rifillimi i evakuimeve.

Një tjetër zyrtar tha se ka të ngjarë që disa avionë të vazhdojnë të ulen në Doha, duke lënë aty një pjesë të të evakuuarve e më pas të vazhdojnë fluturimin drejt vendeve të tjera. Reuters thotë se është e paqartë se kur do të bëhet zyrtarisht një njoftim i tillë.

Sipas NATO-s më shumë se 18,000 vetë janë evakuuar që kur militantët talebanë morën kryeqytetin e vendit, Kabulin.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë thanë se në njoftimin e pritshëm të Departamentit të Shtetit mund të përfshihen më shumë destinacione sikurse Bahreni dhe se Evropa ishte zgjedhur pasi nga pikëpamja logjistike ishte më e lehtë për të transportuar të evakuuar në pjesë të tjeta të botës.

Një nga zyrtarët tha se fluturimet ka të ngjarë të kryen nga Kabuli drejt vendeve të Evropës perëndimore dhe jugore.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha në një deklaratë se Berlini kishte rënë dakord me Uashingtonin për të strehuar përkohësisht njerëz në bazën ajrore Ramshtajn. Mbetet ende e paqartë se cilat janë vendet e tjera evropiane të përfshira në këtë proces.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk pranoi të komentojë, por tha se është “mirënjohës për të gjithë partnerët që po luajnë rol në këto përpjekje”.

Uashingtoni po përshpejton përpjekjet për të nxjerrë njerëzit përpara afatit të 31 gushtit që supozohej të ishte edhe afati i fundit për largimin nga Afganistani të forcave amerikane. Presidenti Joe Biden tha në fillim të kësaj jave se trupat amerikane që po garantojnë evakuimet mund të qëndrojnë më gjatë nëse do të jetë e nevojshme.

Një nga pengesat kryesore për njerëzit që duan të largohen nga Afganistani është udhëtimi i rrezikshëm për në aeroportin e Kabulit. Shtetet e Bashkuara deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë kalim të sigurt për qytetarët amerikanë ose të tjerë, por kanë thënë se kanë marrë garanci nga talebanët, se ata nuk do t’i bllokojnë njerëzit që duan të shkojnë në aeroport.

Por njoftimet nga terreni sugjerojnë të kundërtën. Mijëra afganë që mbanin në dorë fëmijë e dokumente, vazhdojnë të mbushin aeroportin ndërsa luftëtarët talebanë me armë zjarri po urdhërojnë ata që nuk kanë dokumente udhëtimi të kthehen në shtëpi. Në aeroport dhe përreth tij, 12 persona janë vrarë që nga dita e dielë sipas zyrtarëve të NATO -s dhe grupit taleban.

Persona në dijeni të situatës në bazën e Al Udeid-it në Katar njoftuan përkeqësim të kushteve. Një burim tha se zyrtarët amerikanë ishin gjithnjë e më të shqetësuar për problemet logjistike atje sepse “ata aktualisht nuk kanë ushqim të mjaftueshëm” për të pritur flukse të reja njerëzish.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *