Zhiru, 250 sekonda për të thyer mallkimin/ Sulmuesi, gati të marrë për dore Milanin… edhe pa Ibrën










Olivie Zhiru e pati thënë në konferencën e pre zantimit: “Ndihem si një djalosh e te Milani kam ardhur për t’u argëtuar”. U tha, u bë. Francezi mban fjalën dhe ngjitet në podium që në garën e parë.

Zhiru2

34-vjeçari e nis në mënyrën më të mirë aventurën kuqezi, teksa në miqësoren kundër Nisës iu deshën vetëm katër minuta për të treguar se ka ardhur për t’u argëtuar e jo për të qëndruar në stol duke qenë se u afrua me titullin e zëvendësit të Zlatan Ibrahimoviçit. Vështrim i sigurt, krahë të hapur dhe gatishmëri për t’u vënë në shërbim të skuadrës. 21 gola si zëvendësues në ndeshjen e parë të sezonit në dekadën e fundit. Më mirë se ai ka bërë vetëm Lui Muriel që është mjeshtër “premierash”.

SI AJËR I PASTËR – Pioli sheh bomberin në veprim dhe fërkon duart. Shokët e tjerë e përqafojnë teksa Tomorit i duhet të ngjitet mbi supet e Romanjolit për t’i dhënë një shuplakë të lehtë ogurmirë. Olivie është zjarr, a thua ka një jetë në gjirin e “Djallit”. Goli kundër Nisës ka shije sinjali, si për të thënë se zëvendësi i Ibrës ka ardhur dhe është gati. Fjala zëvendës është pak e tepruar për një 34-vjeçar që ka provuar çdo titull në karrierë përveç kampionit të Europës. 11 trofe mes Arsenalit e Çelsit, teksa në CV ka edhe një çmim “Pushkash” për golin më të bukur.

Zhiru9

Ndoshta nuk i ka shënuar të gjithë në mënyrë spektakolare, por Zhiru zbarkon te kuqezinjtë me mbi 300 gola si profesionist. Të mërkurën kundër Valencias mund të ketë shans tjetër për të treguar forcën e tij, ndërkohë që Ibra shërohet nga dëmtimi duke pasur si datë rikthimi 23 gushtin që përkon me sfidën e parë të Serisë A për Milanin kundër Sampdorias. “Me Ibrën jemi sfiduar e mezi pres të luajmë pasi të jemi stërvitur së bashku. Është një kampion shembullor sepse nuk mjafton talenti për të luajtur në këto nivele deri 40 vjeç”, deklaronte pak ditë më pare Zhiru që te Milani ka zbarkuar për t’u argëtuar, por edhe për ndonjë trofe.

MALLKIM I PRISHUR – Goli ndaj Nisës ka peshë specifike. E ndihmon të ambientohet, por edhe për të thyer një lloj mallkimi që ekziston në oborret e “Djallit” prej një dekade. Në fakt, që nga largimi i Pipo Inzagit kanë qenë të shumtë bomberat që nuk kanë lënë gjurmë pasi kanë zgjedhur të luajnë me fanellën me numër 9 që tashmë i përket Zhirusë.

Luiz Adriano, Matri, Torres, Destro, Lapadula, Pato, Higuain, Piontek, Manxukiç dhe Andre Silva. Vetëm ky i fundit ka mundur të shënojë më tepër se 10 gola në sezon, teksa në total zotërinjtë e mësipërm kanë regjistruar 26 realizime në 126 prezenca. Optimizmi në jetë duhet, por edhe pak kujdes nuk bën dëm.

Higuain pati debutuar si kuqezi me gol kundër Realit, por aventura e tij zgjati vetëm gjashtë muaj. Zhiru, mbase, është një model tjetër futbollisti. Lider i heshtur, përfaqësues i denjë i antidivit dhe me një varg të biblës të përjetësuar në krah me një tatuazh. Ndoshta mallkimit i është gjetur me të vërtetë shërimi…

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *