Zhvlerësimi i euros, këshilltari i guvernatorit të Bankës së Anglisë: Shkak informaliteti i lartë, alternativë mund të ishte…

zhvleresimi i euros keshilltari i guvernatorit te bankes se anglise shkak informaliteti i larte alternative mund te ishte
zhvleresimi i euros keshilltari i guvernatorit te bankes se anglise shkak informaliteti i larte alternative mund te ishte

Këshilltari i Guvernatorit të Bankës së Anglisë, Evarist Stoja ka bërë një analizë lidhur me kursin e këmbimit në vend, duke u ndalur tek mosndërhyrja e Bankës së Shqipërisë.

Evarist Stoja thotë se dy probleme serioze të cilat Shqipëria i ka prej vitesh është informaliteti i lartë dhe dominanca e Euros në ekonominë e vendit.

“ I pari, lidhet me volumin jashtëzakonisht të lartë të pagesave me para në dorë që ka një varg pasojash negative për ekonominë dhe vendin, më së fundmi i ndihmuar edhe nga vendimi absurd i BSH për të hedhur në qarkullim kartëmonedhën 10,000 Lek, prerje shumë e madhe për kushtet e vendit. I dyti, me faktin që Euro në Shqipëri është kthyer në monedhë gjysmë-zyrtare”, shkruan ai.

Analiza e plotë:

Politikat Ekonomike, Banka e Shqipërisë dhe një Debat Totalisht i Munguar

Nga Evarist Stoja

Trilema Mundell-Fleming e pagëzuar me emrat e ekonomistëve Robert Mundell dhe Markus Flem­ing është një nga idetë më elegante dhe me influencë të financës. Ideja u publikua në vitet 1960 por, si ndodh zakonisht me idetë brilante, u desh kohë që ti kuptohej rëndësia – çmimi Nobel për këtë kontribut ju dha Profesorit Mundell vetëm në 1999.

Trilema thotë se një shtet duhet të zgjedhë midis 1) pavarësisë së politikës monetare, 2) manaxhimit të kursit të këmbimit dhe 3) lëvizjes së lirë të kapitalit. Nga këto tre elementë, mund të zgjedhësh vetëm dy – e treta vjen si rrjedhim i pashmangshëm i dyshes së zgjedhur.

Për shembull, një shtet që vendos një kurs fiks të këmbimit të monedhës së vet dhe ka një politikë monetare të pavarur (dmth. të caktojë normat e interesit të depozitave bankare si e sheh të arsyeshme dhe pa u ndikuar nga jashtë), nuk mund të lejojë kapitalin të lëvizë i lirë (dmth kapitali nuk mund të hyjë apo të dalë nga vendi sipas dëshirës). Ose, nëse ka fiksuar kursin e këmbimit por është i hapur për lëvizjen e lirë të kapitalit, e ka të pamundur të ndjekë një politikë monetare të pavarur. Dhe zgjedhja e fundit, nëse një shtet vendos që kapitali të lëvizë lirisht dhe dëshiron politikë monetare të pavarur, atëherë kursi i këmbimit të monedhës kombëtare duhet të jetë detyrimisht i lirë.

Përse ndodh detyrimisht kështu? Psh. një shtet vendos një kurs këmbimi fiks të monedhës së vet, të themi me Euron, dhe ndërkohë kapitali është i lirë të hyjë e të dalë. Nëse banka qendrore e këtij shteti vendos norma interesi më të larta se ç’i ka Banka Qendrore Europiane (BQE), atëherë kapitali i huaj, gjithmonë në kërkim të normës më të lartë të fitimit, do të hyjë me shumicë. Kjo hyrje kapitali rrit kërkesën për monedhën vendase dhe kursi fiks do të zhbëhet shpejt. Anasjelltas, nëse norma e interesit është më e ulët se ajo që ka vendosur BQE, atëherë kapitali do të largohet nga vendi drejt Eurozonës dhe kjo do të shpjerë në zhvlerësimin e monedhës vendase.

Një shembull konkret ishte rasti i derivonshëm i Kinës, banka qendrore e së cilës kishte vendosur një kurs këmbimi fiks të monedhës së vet Yuan me Dollarin dhe gjithashtu kishte një politikë monetare të pavarur. Por, duke e kuptuar problemin e paraqitur nga trilema, nuk lejonte që kapitali të lëvizte lirshëm – më konkretisht, nuk mund të dilte lirisht nga Kina (kapitali nuk kishte barriera për të hyrë në Kinë).

Në rastin e Kinës, kontrolli ishte i mundur. Kur kontrolli i kapitalit është i pamundur ose i padëshiruar, trilema kthehet në dilemë: ose një politikë monetare të pavarur dhe kurs të lirë këmbimi ose kurs fiks dhe politikë monetare jo-autonome (norma interesit vendoset gjetkë, nga banka qendrore e një vendi tjetër). Vendet e zhvilluara kryesisht preferojnë zgjedhjen e parë – një politikë monetare të pavarur dhe detyrimisht një kurs të lirë këmbimi. Krijimi i Eurozonës i detyroi vendet anëtare të heqin dorë nga politika monetare e pavarur si rrjedhim i kursit të këmbimit të monedhave të tyre si Lira Italiane, Dhrahmia Greke të fiksuar me Euron.

Kjo varësi monetare është e pranueshme për, të themi Austrinë sepse ekonomia e saj është e lidhur ngushtë me motorin e ekonomisë Europiane – atë Gjermane. Në kahun e kundërt është rasti i Greqisë që ka një ekonomi larg asaj Gjermane. Pasojat e humbjes së pavarësisë financiare u bënë fare të qarta gjatë krizës së Eurozonës – Greqia thjesht nuk e kishte mundësinë të dilte nga kriza përmes çvlerësimit të monedhës së vet nga e cila kishte hequr dorë mbi një dekadë përpara.

Që të dalim te rasti i Shqipërisë. Si vend në zhvillim, sigurisht që kapitali duhet të lëvizë lirshëm. Trilema është në fakt dilemë, zgjedhja reale është midis pavarësisë së politikës monetare dhe një kursi të lirë këmbimi të Lekut me Euron (dhe automatikisht me monedhat e tjera). Është e qartë që kursi i këmbimit Euro-Lek është i lirë. 1 Euro këmbehej me 130 Lek në 2003, me 138 në 2013, dhe 105 në këtë moment të 2023. Ky është një variacion i lartë për çdo monedhë, por është ndoshta edhe më shumë i tillë për një vend në zhvillim që shpresat për zhvillim i var te eksportet.

Të paktën, ngushëllimi është pavarësia monetare. Banka e Shqipërisë i vendos normat e interesit sipas nevojave dhe kushteve ekonomike të vendit i ngre normat e interesit kur inflacioni rritet ndjeshëm mbi objektiv dhe i ul ato për të nxitur zhvillimin ekonomik. Të paktën, kjo është teoria.

A është kështu në praktikë? Dy probleme serioze të cilat Shqipëria i ka prej vitesh është informaliteti i lartë dhe dominanca e Euros në ekonominë e vendit. I pari, lidhet me volumin jashtëzakonisht të lartë të pagesave me para në dorë që ka një varg pasojash negative për ekonominë dhe vendin, më së fundmi i ndihmuar edhe nga vendimi absurd i BSH për të hedhur në qarkullim kartëmonedhën 10,000 Lek, prerje shumë e madhe për kushtet e vendit.

I dyti, me faktin që Euro në Shqipëri është kthyer në monedhë gjysmë-zyrtare. BSH zbatonte disa politika e masa, psh. Depozitat bankare në monedhë të huaj paguanin norma interesi më të ulëta se ato në Lek me qëllim që ti nxisnin shqiptarët që kursimet e tyre në monedha të huaja ti kthenin në monedhën kombëtare. Për fat të keq, kjo nuk ka funksionuar – në fund të 2022, mbi gjysma e depozitave dhe kredive totale ishin në monedhë të huaj, kryesisht në Euro. Betejat ndaj informalitetit dhe ndaj dominancës së Euros për fat të keq duken të humbura. Një rrjedhim serioz është që efekti i politikës monetare është modest, një cinik (ekonomistët të tillë janë) mund të thoshte i neglizhueshëm. Kjo vihet re në forcimin e Lekut përtej parashikimeve më pesimiste si dhe në një zinxhir pasojash negative për ekonominë.

Problemi tani është i qartë – Shqipëria ka vendosur një kurs të lirë të këmbimit të Lekut që të gëzojë përfitimet e një politike monetare të pavarur. Por argumentet e mësipërm e bënë po aq të qartë që politika monetare, kur mbi gjysma e depozitave dhe kredive janë në Euro, nuk është hiç e pavarur – ajo vendoset në selinë e BQE në Frankfurt. Me pak fjalë, Shqipëria nuk gëzon as avantazhet e një kursi këmbimi fiks dhe as ato të një politike monetare të pavarur.

Një alternativë mund të ishte një sistem hibrid. Meqënëse politika monetare është gjysmë-autonome, edhe kursi i këmbimit mund të ishte gjysmë i lirë, dmth. brenda një fashe të studiuar me kujdes, kursi të jetë i lirë. Nuk po bëj avokatinë e këtij apo atij kursi këmbimi – ky dhe vendimet e tjera që rrjedhin prej tij, janë vendime tejet të rëndësishme për vendin dhe kërkojnë debat të gjerë ekspertësh, grupesh interesi e analistësh ekonomikë. Ky debat ekonomik i duhet urgjentisht diskursit politik që për fat të keq, ka ngecur në absurditete. Problemet e mëdha me të cilat Shqipëria ballafaqohet përditë nuk zgjidhen pa ekonominë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts