“Shteti na ka braktisur”, bizneset në Itali kërkojnë pezullimin e taksave

22:10 07/04/2021

Shitësit ambulantë në Bari dhe në të gjithe rajonin e Puglias, Romë, Milano, Torino e Napoli u përfshinë në protestat kundër masave më të ashpra të qeverisë italiane për të frenuar përhapjen e një vale të re infektimesh nga koronavirusi. Shitësit ambulantë denoncojnë se ata janë të mënjanuar në vendimarrje nga qeveria qendrore dhe ajo rajonale.

Janë rreth 16 mijë ndërmarrje tregtare të vogla të cilat e konsiderojnë veten në prag të falimentimit. Treqind kamionë u vunë në radhë në Bari duke bllokuar për disa orë qarkullimin rrugor.

“Politika nuk na dëgjon, ne nuk kemi punuar për muaj me rradhë. Ne duam të punojmë,  kërkojmë që të na jepet mundësia e rihapjes së të gjitha veprimtarive artizanale, tregtare, të shërbimit, sportive dhe atyre të kryera brenda tregjeve për të gjithë sektorët”, u shpreh një barist.

Në protestë janë shitës ambulantë, pronarë të bareve, estetistë, parukierë, argjendarët, pronarët e palestrave, pishinave dhe ata të përfshirë në aktivitete tregtare shëtitëse. Sipërmarrësit besojnë se mbyllja e detyruar e bizneseve të tyre nuk është vendimtare për frenimin e përhapjes së pandemisë së Covid-19.

Ata kërkuan që pushteti lokal të caktojnë një fond financiar të dedikuar për mbështetjen e mbijetesës së bizeneseve të tyre.

“Shteti na ka braktisur. Ne kërkojmë rihapjen e menjëhershme të tregjeve. Ne jemi në fund të mbijeteses sonë. Ne kemi duruar dënime e taksa për një vit jemi ndër kategoritë me humbje më katastrofike që nuk konsiderohemi drejt nga qeveria. Kërkojmë pezullimin e taksave, jo një revokim të tyre”, tha Raffaele Cristinziano.

Pas pushimeve të Pashkëve qeveria italiane ka vendosur nëntë rajone si zona të kuqe me kufizime të ashpra lëvizjeje në Valle d’Aosta, Piemonte, Friuli Venezia Giulia, Puglia, Emilia-Romagna, Lombardia, Toskana, Kalabria dhe Campania.

Baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura me përjashtim të dërgimit të ushqimit në shtëpi. Rregullat e reja qeveritare anti-covid do të vlejnë deri në 30 Prill.

Ndërsa masat ndaj disa sektorëve të ekonomisë shtrëngohen, Italia rihapi këtë të mërkurë kopshtet dhe shkollat fillore. Nxënësit e klasave të dyta dhe të treta, e të shkollës së mesme do të vazhdojnë me mësimin 100% në distancë.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *