A do provokojë kaos mospërfillja e mazhorancës për votën e diasporës?

a do provokoje kaos mosperfillja e mazhorances per voten e diaspores































NGA GENC BURIMI genc-burimi-2-e1604688849374-502x450

Protesta e diasporës këtë të enjte në tribunat e Kuvendit të Shqipërisë është akti i parë i një lufte për një kauze të drejtë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe kjo mazhorancë merr rrezikun t’i mbajë zgjedhjet pa diasporën, lufta e kësaj të fundit do të përfundojë në sallën e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të organizuara në kundërshtim me vendimin detyrues të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për pjesëmarrjen e diasporës me votë në zgjedhje. Mazhoranca dhe faktori ndërkombëtar po marrin kështu qartazi një rrezik të pallogaritshëm me mosnjohjen e zgjedhjeve në një vend, që ende s’po hap një kapitull të parë të negociatave për integrim në BE, për shkak tashmë të problemeve me zbatimin e rregullave demokratike. Në momentin që po hedhim këtë shkrim në botim, gjasat janë që mazhoranca ka vendosur t’i hyjë rrugës së skenarit të më së keqes, kaosit institucional, politik dhe të sigurisë në Shqipërinë e paszgjedhjeve të 2025-ës, që rrezikojnë të mos njihen si legale.

Për PS-në në pushtet është tepër vonë tani që të programohet votimi i diasporës Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste në pushtet, Blendi Klosi, pati “meritën” këtë javë të bëjë publik pesimizmin e partisë së tij për sa i përket votës së diasporës, duke i çjerrë në këtë mënyrë maskën Rilindjes. Me një cinizëm transparent apo me një transparencë cinike, Blendi Klosi u shpreh kështu nga Shkodra: “… do të kishim shumë dëshirë që të realizonim votën e emigrantëve… por mungesa e opozitës shumë gjatë në komisionin për reformën zgjedhore na e bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje në komision”.

PS-ja akton ose aktron në këtë mënyrë se nuk do të ketë votë të diasporës për zgjedhjet e 2025, meqenëse sipas saj, është tepër vonë tani. Këtë vonesë mazhoranca ia faturon sigurisht jo vetes, por opozitës. Të qeshësh apo të qash. Apo të dyja bashkë.

Në këtë shkrim do i përmendim disa të vërteta Blendi Klosit dhe liderit të tij maximo, Edi Rama, që i trembet po aq shumë votës së diasporës sa dhe reportazheve të gazetarëve të huaj si “Rai 3”. Të dyja palët, diasporë shqiptare dhe media perëndimore kanë një gjë të përbashkët, ato nuk kontrollohen nga Kryeministri i Shqipërisë. Ndaj, ky i fundit përpiqet të mbajë sa më larg vetes dhe Shqipërisë si angazhimin politik të diasporës, ashtu dhe mediat investiguese ndërkombëtare në mënyrë që asgjë që vjen nga jashtë të mos i cenojë pushtetin e tij brenda, një pushtet që e do pa limite në thellësi dhe në kohë.

Me ata që janë brenda Shqipërisë, që influencojnë fletët e votimit, që numërojnë kutitë e votimit dhe që supozohen të gjykojnë krimet gjatë procesit të votimit, Rama merret vetë si ia do dëshira. Me ata që janë jashtë dhe që s’ka se çfarë t’u bëjë, ose i pengon të votojnë duke mos lejuar votën e diasporës, ose u bën telefonata kërcënuese siç veproi me drejtorin e ‘RAI’- t, duke thyer kështu edhe një rekord që deri atëherë e mbante Kremlini i Putinit. Rama po thyen dhe një rekord tjetër të Kremlinit. Regjimet e Putinit dhe të Vuçiçit të paktën sa për sy e faqe e lejojnë votën e diasporës, ai i Edi Ramës dhe këtë obligacion minimal kushtetues të një vendi anëtar të Këshillit të Europës nuk e përmbush.

GJEGJËSINË PËR MOSNJOHJEN E ZGJEDHJEVE NGA GJK OSE STRASBURGU

Blendi Klosi mund të bëjë sa të dojë sofizma për llogari të shefit të tij të llojit si ato që dëgjuam në Shkodër: “Ligjvënësi kur e ka ndërtuar Kushtetutën dhe ligjin, ka menduar se do të ketë forca të ndërgjegjshme politike, të cilat do të duan të ulen në tryezë, të negociojnë mes tyre dhe të marrin vendime përsa u përket ligjeve të rëndësishme të vendit. Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në këtë situatë. E para, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste ta rrotullojë gjuhën shtatë herë në gojë para se të përmendë Kushtetutën që kjo mazhorancë po e trajton si qilim kashte para portës ku fshin këmbët. Kushtetuta u njeh të gjithë shtetasve shqiptare, pra çdo qytetari që ka pasaportë shqiptare, të drejtën e votës! Për diasporën shqiptare, kjo e drejtë u rikonfirmua biles në mënyrë specifike nga një vendim enkas në favor të saj nga Gjykata Kushtetuese.

Përse duhet të presë mazhoranca dakordësinë e opozitës për votën e diasporës? Kjo mazhorancë që s’pyet për opozitë kur vë në rend të ditës për votim në Parlament ligje nga më antishqiptaret si pakti Rama – Meloni për afrikanët, Butrinti që i jepet privatit, apo zvogëlimi zonave të mbrojtura natyrore të Shqipërisë, pse fshihet pas nevojës së një konsensusi me opozitën në rastin e votës për diasporën? U dashkan 84 vota thotë Blendi Klosi? Po le ta çojë mazhoranca ligjin për votën e diasporës, të japë të gjithë votat e saj të mundshme, 70 e disa që ka dhe t’ia lërë kështu dopio gjashtën në dorë opozitës po qe nevoja.

Le të guxojë nga ana e saj opozita para kamerave të gjithë botës të votojë kundër ligjit të propozuar nga mazhoranca për votën e diasporës. U takon shqiptarëve të gjykojnë kush po ia saboton votën diasporës, jo mazhorancës. Detyra e mazhorancës, ngaqë është mazhorancë është të japë shembullin dhe jo të ngrejë alibira boshe.

U bë mbi një dekadë që Edi Rama është në pushtet. Si produkt i diasporës me banim më parë në Paris, Edi Rama e futi të drejtën e diasporës për votim që në programin e Partisë Socialiste më 2013. Mbi 10 vjet më vonë, asgjë. Mburret Edi Rama se arriti të paarritshmen me votimin e Reformës së Drejtësisë më 2016. Pse nuk vuri të njëjtën tempo, energji, përkushtim e atdhetarizëm për të realizuar votimin për votën e diasporës? Pse? Sepse me Reformën në Drejtësi ai shpresonte të realizonte vënien e drejtësisë së re nën hiqmin e mazhorancës së re dhe kjo e motivoi tej mase t’i shkonte deri në fund. Ndërsa votës së diasporës ai nuk i sheh veçse efekte negative me mbi 1 milion njerëz jashtë, që nuk mund t’i kontrollojë. Ndaj ai tallet dhe votimin për votën e diasporës, e shtyn periodikisht për në “kalendat greke”, për të mos ta lejuar kurrë, për aq kohë sa ai do të jetë në pushtet. Është më e ndershme t’i prezantosh gjërat kështu, se sa të fshihesh pas topureve të opozitës se po e pengon kjo votën e diasporës. Këtë fabul si ajo tjetra mbi papërgjegjësinë e Ramës në korrupsionin galopant që ka përfshirë vendin si në “flakët e Ferrit” mund ta hanë disa mendje naive në Shqipëri, por nuk do gjesh një adult apo adoleshent të diasporës shqiptare ta besojë këtë qeveri në mashtrimin se votën e diasporës nuk e ka ajo në dorë, por opozita.

THIRRJE SPEKTRIT POLITIK PËR SOLIDARITET ME DIASPORËN DERI NË MOSNJOHJE TË ZGJEDHJEVE

Diaspora shqiptare nuk duhet të merret më gjatë me lutje ndaj një mazhorance me qëndrim të qartë antishqiptar karshi votës së diasporës. Strategjia e diasporës duhet t’i bëhet e ditur mazhorancës dhe ndërkombëtarëve. Nëse ajo nuk lejohet të votojë në 2025, do të ketë rekurse të gjithanshme për mosnjohje të zgjedhjeve dhe kërkesë për ripërsëritje të tyre deri sa të integrohet vota e diasporës. Diaspora ka forcën e ligjit me vete, ka Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin specifik në favor të saj të Gjykatës Kushtetutese.

Edhe sikur gjykatat shqiptare të mos t’i japin të drejtë diasporës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve legjislative të 2025- ës pa votën e diasporës, çështja do të shkojë deri në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që mbarë Europa ta njohë të vërtetën e pushtetit të Edi Ramës në Shqipëri si i vetmi pushtet në Europën moderne, që ia ndalon diasporës të votojë duke e tejkaluar siç u tha më sipër edhe Rusinë apo Serbinë.

Diaspora shqiptare duhet po ashtu të vërë para përgjegjësive të gjitha partitë e opozitës që këto të jenë të gatshme ashtu si diaspora të mos e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 2025 në Shqipëri, nëse ato zhvillohen pa votën e diasporës. Një ultimatum i këtij lloji t’u dërgohet përfaqësive perëndimore në Tiranë. Dhe ato të marrin përgjegjësitë e tyre nëse situata shkon në mosnjohje të zgjedhjeve nga opozita për shkak të mohimit të votës së diasporës. Perëndimorët që janë kaq të ndjeshëm ndaj situatës së sigurisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, kanë sot rastin të veprojnë që situata në Shqipëri të mos degradojë në 2025 nëse delegjitimohen zgjedhjet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e ka bërë detyruese votën e diasporës për 2025-ën.

Kur arriti të pamundurën më 2016, me 140 vota mbi 140 në favor të Reformës në Drejtësi, faktori ndërkombëtar të lëvizë tani sa nuk është vonë për të detyruar mazhorancën të lëvizë sa më shpejt për votën e diasporës. Më vonë do të jetë tepër vonë, Shqipëria do të rrezikojë të zhytet në një krizë politike dhe sigurie më 2025, atëherë kur nuk i dihet fati as situatës së sigurisë më gjerë në Europë pas një fitoreje të mundshme të Donald Trump në SHBA. Përgjegjësit në Shqipëri dhe në kancelaritë perëndimore të marrin bashkërisht përgjegjësitë e tyre: me mohimin e votës së diasporës shqiptare po luhet me zjarrin, që gjithmonë është vërtetuar si një lojë tepër e rrezikshme. Një Shqipëri pa zgjedhje të legjitimuara do të jetë një Shqipëri në kaos!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts