Gjendje e jashtëzakonshme në Ekuador, ushtria ‘zbarkon’ në rrugë me tanke. Mbi 130 punonjës të burgjeve vijojnë të mbahen peng

gjendje e jashtezakonshme ne ekuador ushtria zbarkon ne rruge me tanke mbi 130 punonjes te burgjeve vijojne te mbahen peng

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Ekuador, ushtria ka zbarkuar në rrugë në disa qytete, ku po regjistrohet dhunë e paprecedentë. Persona të armatosur të maskuar sulmuan një studio televizive publike gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në qytetin e Guayaquil dhe shpërthime me bomba u regjistruan në të gjithë Ekuadorin të martën.

Më shumë se 130 punonjës të burgjeve po mbahen peng nga të burgosurit në pesë burgje. Një gjendje e jashtëzakonshme 60-ditore filloi të hënën pasi një gangster famëkeq u zhduk nga qelia e burgut. Është e paqartë nëse sulmi në studion televizive në qytetin më të madh të Ekuadorit lidhej me zhdukjen e bosit të bandës Choneros, Adolfo Macías Villamar ose ‘Fito’, siç njihet më mirë. Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme si përgjigje ndaj një vale të trazirave të fundit në burg dhe arratisjeve nga burgjet dhe akteve të tjera të dhunës për të cilat autoritetet fajësojnë bandat kriminale. Qeveria urdhëroi që bandat kriminale të “neutralizoheshin” dhe tha se një “konflikt i brendshëm i armatosur” ekzistonte brenda vendit.

Autoritetet sqarojnë se dhuna është një reagim ndaj planit të Presidentit Noboa për të ndërtuar një burg të ri të sigurisë së lartë për krerët e bandave. Presidenti tha të mërkurën se Ekuadori do të fillojë të dëbojë të burgosurit e huaj, veçanërisht kolumbianët, për të zvogëluar numrin e të burgosurve. Esteban Torres Cobo, një zëvendësministër në qeverinë e Presidentit Noboa, tha se lufta kundër bandave të armatosura mund të rezultojë në shumë vdekje dhe viktima. “Do të jetë e përgjakshme, por ky është ndryshimi që na nevojitet për të pasur një të ardhme më të mirë, ne nuk mund ta shtyjmë këtë vendim gjatë gjithë viteve, duhet të bëjmë këtë lëvizje tani”, tha ai për programin Neëshour të BBC-së.

Ai tha se krerët e bandave po kërkonin ndërmjetësim, por se “qeveria nuk do të negociojë me askënd”. Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tha se ai ishte “shumë i alarmuar nga përkeqësimi i situatës” dhe “ndikimi shkatërrues në jetën e ekuadorasëve”. Ndërkohë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se SHBA “dënoi fuqishëm” sulmet e fundit, ndërsa zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby pohoi se Uashingtoni ishte i përkushtuar “të ndihmojë në mbështetjen e sigurisë dhe prosperitetit për popullin e Ekuadorit”.

Disa orë pas sulmeve, Guayaquil ishte si një qytet që zgjohej nga një makth i çuditshëm. Pavarësisht nga përkeqësimi i situatës së sigurisë gjatë viteve të fundit, pakkush mund të priste ta shihte spikerin e kanalit televiziv shtetëror TC që kërcënohej me një armë në kokë, drejtpërdrejt në transmetim. Policia ka bërë 70 arrestime që nga e hëna, duke përfshirë edhe agresorët e sulmit ndaj stacionit televiziv. Rrugët janë kryesisht bosh. Shumë thonë se situata u kujton atyre jetën gjatë pandemisë Covid.

Qindra ushtarë, përfshirë dhe tanke, po patrullojnë rrugët e Guayaquil dhe kryeqytetit, Quito. Në të gjithë vendin, shkollat janë mbyllur dhe mësimi zhvillohet online. Kina, një investitor i madh në Ekuador, gjithashtu njoftoi se po mbyllte përkohësisht ambasadat dhe konsullatat e saj. Brenda bizneseve që mbeten të hapura në Guayaquil, rojet e sigurisë private po i mbajnë dyert të mbyllura, ndërsa lejojnë që njerëzit të hyjnë me kujdes. Eduardo, i cili punon për një firmë ndërkombëtare veshjesh, tha se ishte në rrugë duke blerë kafe në momentin kur nisi të shpërthente kaosi dhe kur u kthye në zyrë kishte parë kolegët e tij që merrnin gjërat e tyre dhe largoheshin.

“Sot, të gjithë po punojnë nga shtëpia”, tha ai. Rreth 125 roje burgu dhe 14 staf administrativ po mbahen peng në të gjithë Ekuadorin, thotë agjencia e burgjeve SNAI. Katër oficerë policie, për të cilët autoritetet thonë se u rrëmbyen nga kriminelët mes të hënës dhe të martës, gjithashtu janë mbajtur në pranga. Tre oficerë të tjerë u liruan vonë të martën. Policia thotë se dhuna po vazhdon në Guayaquil. Tetë persona u vranë dhe tre u plagosën në sulmet e lidhura me bandat kriminale në qytet të martën, ndërsa dy oficerë policie u vranë nga “kriminelët e armatosur” në qytetin e afërt të Nobolit, tha policia. Kjo është një situatë e paprecedentë për njerëzit e Guayaquil, pasi ata kanë parë protesta politike dhe incidente të tjera, por asgjë në shkallën e panikut të plotë që përfshiu qytetin të martën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts