Pas perdes së ‘Amnistisë’, teatri politik i padrejtësisë

pas perdes se amnistise teatri politik i padrejtesise































NGA ANDRI NURELLARI ANDRI NURELLARI

Gënjeshtra se Amnistia Pe nale e sapomiratuar nuk do të shpëtonte të korruptuarit, u shkëput si maska nga fytyra e një aktori, duke lënë të zhveshur të vërtetën. Prokuroria e Posaçme demaskoi qeveritarët duke bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend. Pavarësisht premtimit të shumëpërsëritur se asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk do të përfitojë nga kjo amnisti, drita e së vërtetës shpërtheu mes errësirës së mashtrimit shtetëror, duke nxjerrë në sipërfaqe një realitet të hidhur dhe duke ngritur pikëpyetje dhe mesazhe të shumta.

Fakti që pretendimet e errëta mashtruese kishin gjithashtu zëdhënës Bardhin e opozitës, tregon se ashpërsia e molotovëve që hedh opozita është vetëm një vënie në skenë e një teatri politik të administruar nga e njëjta kastë e kalcifikuar politike. Lehtësia me të cilën bëhen bashkë në përhapjen e mashtrimit të njëjtë ndaj publikut të gjerë dhe bashkojnë votat kur kanë kërcënim nga ligji, të konfirmon këtë ndjesi të të qenurit spektator në një teatër, ku opozita nuk do të ndryshojë skenarin e dramës politike të Shqipërisë, por thjesht të shkëmbejë rolet me qeveritarët. E gjitha kjo të kujton një ndjenjë të keqe deja vu me votimin e përbashkët PDPS në vitin 2008 për Kodin e ri Zgjedhor që i mbronte nga konkurrenca e partive të tjera.

Amnistia e miratuar së fundmi shërben si një mesazh i qartë dhe i fuqishëm ndaj SPAKut se kur ndjenja e kërcënimit nga ligji bëhet e prekshme, barrierat politike dhe konkurrenca mes partive zbehen, duke u zëvendësuar nga një unitet i papritur. Amnistia, thënë ndryshe, ishte një përpjekje për të demoralizuar dhe penguar zbatimin e ligjit, duke sinjalizuar se përpjekjet e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin në nivele të larta mund të minohen lehtësisht nga vendime politike.

Tek Ligji për Amnistinë mund të lexohet edhe një mesazh tjetër i rëndë, një thirrje për omertà, një kod i heshtjes mafioze, duke iu kërkuar të dënuarve dhe atyre nën hetim të mos bashkëpunojnë me drejtësinë dhe të mos rrëfejnë. Kjo amnisti ishte edhe një porosi se, pavarësisht presionit ligjor ose akuzave të SPAK-ut, mbrojtja politike është e sigurt. “Durojeni presionin e drejtësisë, mbajeni gojën kyçur”, thotë si nëntekst ky veprim, “sepse vetëm do bëni pak kohë në burg; me një amnisti tjetër do t’ju lirojmë nga qelia”.

Amnistia, e maskuar si një akt faljeje e mëshire, është në thelb një shfaqje e hipokrizisë që dërgon një mesazh të rëndë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Si mund të pretendohet se po luftohet korrupsioni dhe ndërtohet një shoqëri më e drejtë, kur të njëjtët individë që kanë minuar këto vlera përfitojnë nga liria pa meritë? Ky veprim jo vetëm që kontradikon zotimet të trumbetuara për të përmbushur standardet evropiane të drejtësisë, por gjithashtu tregon një mungesë të theksuar të koherencës mes fjalëve dhe veprimeve të kastës politike shqiptare, duke lënë një përshtypje të zhgënjimit dhe dyshimit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.

Padyshim mesazhi më i rëndë nga kjo amnisti shkon për viktimat dhe familjarët që kanë vuajtur prej kriminelëve të liruar. Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë t’ia kthejë shpinën atyre që kanë kaluar net pa gjumë, të mbushur me dhimbje dhe lot në kërkim të drejtësisë? Si mund të lejojë kjo elitë politike që zemrat e thyera të viktimave të marrin goditjen e re të papërgjegjshmërisë morale dhe padrejtësisë së një vendimi për amnisti?

Për vite me radhë, procesi i amnistisë është keqpërdorur si mjet korruptiv për të shpëtuar individë që kanë shkelur ligjin, duke minuar sistemin e rendit dhe drejtësisë. Për vite me radhë mediat kanë qenë të mbushura me lajme për krime të kryera nga kriminelë recidivistë, të cilët kanë qenë kapur e dënuar më përpara, por nuk e kanë shlyer dënimin e plotë të marrë. Së fundmi është raportuar se të dyshuar për bombën e vendosur ndaj gjykatësit të Shkodrës, Tonin Sterkaj, mund të jetë një ndër personat që ka përfituar nga amnistia dhe që janë liruar nga burgu i Reçit, por që mund të jetë dënuar nga gjyqtari Sterkaj. Akoma më qesharak e flagrant ishte rasti i “skifterit” të Korçës, i cili vodhi një makinë në Korçë sapo doli nga burgu i Drenës falë amnistisë.

Kemi pafund raste ku siguria publike është cenuar nga ata protagonistë të shkeljes së ligjit, janë dënuar më përpara por nuk janë përballur me pasojat e plota të veprimeve të tyre. Nga ata që janë liruar para kohe nga ndëshkimi i ligjit pa iu dhënë mundësia e duhur për të reflektuar si dhe për t’u penduar e për t’u distancuar nga veprat e krimit apo korrupsionit që kanë kryer. Ne nuk mund të lejojmë që recidivizmi të kthehet në një cikël të pafund, ku të njëjtat duar që kemi liruar sot të na godasin prapë nesër. Sikurse ndodh në çdo vend të zhvilluar demokratik, të dënuarit mund të lirohen vetëm pasi ta kenë shlyer detyrimin ndaj shoqërisë apo pasi komisione të specializuara të drejtësisë të japin gjykimin rast pas rasti, se të burgosurit e shqyrtuar janë mjaftueshëm të riedukuar e të rehabilituar sa të mos përbëjnë më kërcënim për shoqërinë.

Çdo herë që një kriminel lirohet pa mbaruar dënimin e tij të merituar, një polic, një prokuror, një gjykatës, një gazetar denoncues ndjen se puna e tij është shkelur. Çdo herë që një amnisti jepet si një dhuratë pa meritë, forcat tona të rendit ndjejnë se përpjekjet e tyre kurajoze janë çuar dëm. Si mund të kërkojmë ne si shoqëri prej tyre, që të qëndrojnë në vijën e parë të luftës kundër krimit, kur parlamenti i Shqipërisë në rastin më të parë i tradhton ata?

Së fundmi, amnistia dërgoi një mesazh të rrezikshëm në mbarë shoqërinë: se ligjet mund të thyhen dhe përgjegjësitë mund të shmangen. Ajo hodhi baltë mbi ndershmërinë e të gjithë atyre pak aktorëve që punojnë çdo ditë për të ndërtuar një vend më të mirë. Si mund të kërkojmë nga qytetarët të respektojnë ligjin kur ata shohin se ligji aplikohet në mënyrë selektive dhe se zyrtarët e korruptuar janë të pacenueshëm për shkak të veladonit mbrojtës të politikës? Kur shohin se me një ngritje kartoni çohen dëm muaj e vite punë hetimore e procesesh gjyqësore të tejzgjatura për të vënë drejtësi?

Duke pasur parasysh situatën alarmante, nga Kuvendi i Shqipërisë pritej krejt e kundërta e kësaj amnistie, pritej që të sillej si gardiane e shoqërisë, duke u siguruar që ata që janë dënuar për veprimet e tyre të përballen me pasojat e plota të veprimeve të tyre. Nga parlamenti pritej që të tregohej i pakompromisë ndaj atyre që zgjedhin të futen në rrugën e krimit e korrupsionin, sepse çdo akt i tyre jo vetëm që dëmton individë specifik, por e minon të ardhmen e Shqipërisë duke zhytur shoqërinë në dëshpërim e largim.

Nga skena priten faktikisht nisma synojnë të shtojnë mbështetjen dhe përmirësojnë kushtet e punës për policët, prokurorët dhe gjykatësit tanë. Këta të fundit ballafaqohen çdo ditë me rreziqe dhe ne duhet të bëjmë çmos që ata të kenë gjithçka që u nevojitet për të qenë efikas në përmbushjen e detyrës së tyre fisnike! Po ashtu, do të ishte e udhës që të ndërmerreshin nisma për të zgjeruar dhe përmirësuar kapacitetet e Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të përballur fluksin e madh të zyrtarëve të korruptuar që, për fat të keq, vazhdojnë të zbulohen masivisht në radhët e larta të kësaj qeverie. Madje, akoma më mirë do të që të kishim nisma legjislative që synon të rreptësojë ligjet dhe të rëndojë dënimet, veçanërisht për ata që janë recidivistë.

Në këto kohë të vështira ne kemi nevojë urgjente për të forcuar rendin dhe ligjin e jo për ta rrënuar atë. Kemi nevojë për nisma parlamentare që kanë për qëllimin ndërtimin e një Shqipërie evropiane ku ligji mbizotëron, dhe ku çdo qytetar të ndihet mjaftueshëm i sigurt, i barabartë dhe i mbrojtur sa mos ta këtë më nevojën për të emigruar.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts